“Kartat bankare po përdoren më shumë për pagesa se për cash”, Sejko: Shqipëria avancon në pagesat digjitale, transfertat në euro deri 20 herë më të lira

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Shoqatën Evropiane të Pagesave me Kartë, organizoi në Tiranë konferencën e 8-të ndërkombëtare mbi skemat rajonale të kartave dhe infrastrukturat e tregut financiar me vlerë të vogël. Për herë të parë e zhvilluar në Shqipëri, konferenca mblodhi rreth 260 përfaqësues nga 85 vende të botës, mes tyre përfaqësues të bankave qendrore, institucioneve financiare dhe industrisë së pagesave.
Në fjalën e hapjes, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, vlerësoi transformimin e ndjeshëm të tregut të pagesave në vend gjatë dekadës së fundit, duke theksuar se Shqipëria po avancon me ritme të shpejta drejt standardeve evropiane në këtë sektor.
Sipas Sejkos, numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 29 pagesa në vit, nga vetëm 5 pagesa një dekadë më parë, ndërsa ritmi i rritjes vijon të jetë rreth 25% në vit. Po ashtu, numri i kartave bankare në qarkullim ka arritur në 1.6 milionë, ndërsa një moment historik u shënua gjatë vitit 2025, kur për herë të parë kartat u përdorën më shumë për kryerjen e pagesave sesa për tërheqjen e parave cash.
“Zhvillimi i pagesave digjitale është një tregues i qartë i modernizimit të ekonomisë shqiptare dhe i rritjes së përfshirjes financiare të qytetarëve”, theksoi Guvernatori.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua anëtarësimit të Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), të cilin ai e cilësoi si një nga arritjet më të mëdha të viteve të fundit në drejtim të integrimit financiar evropian.
Sipas Sejkos, falë SEPA-s, transfertat në euro drejt vendeve pjesëmarrëse kryhen me kosto deri në 20 herë më të ulët krahasuar me periudhën para anëtarësimit, ndërsa efektet pozitive për ekonominë shqiptare pritet të përkthehen në mbi 71 milionë euro kursime çdo vit.
“Këto përfitime mbështesin tregtinë, lehtësojnë dërgimin e remitancave dhe nxisin përdorimin e kanaleve formale në ekonomi”, u shpreh ai.
Guvernatori prezantoi gjithashtu projektin rajonal TIPS Clone, një nga nismat më ambicioze në fushën e pagesave në Ballkanin Perëndimor. Projekti synon të mundësojë kryerjen e transfertave të fondeve në kohë reale, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë.
Sipas tij, infrastruktura e re do të hyjë në funksion gjatë vitit 2026 dhe do t’u ofrojë qytetarëve akses të menjëhershëm në fondet e tyre, ndërsa bizneset do të përfitojnë nga arkëtimet më të shpejta dhe menaxhimi më efikas i likuiditeteve.
Në të njëjtën kohë, Sejko theksoi se avancimi i teknologjisë dhe i shërbimeve digjitale duhet të shoqërohet me masa të forta për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e përdoruesve.
“Zhvillimi i shërbimeve digjitale duhet të ecë paralelisht me forcimin e qëndrueshmërisë operacionale, sigurinë e të dhënave, mbrojtjen ndaj kërcënimeve kibernetike dhe parandalimin e mashtrimeve”, deklaroi ai.
Në kuadër të konferencës, Guvernatori Sejko zhvilloi edhe një takim me drejtues të lartë të Bankës Botërore, ku u diskutua mbi bashkëpunimin në modernizimin e infrastrukturës së pagesave, mbikëqyrjen bankare dhe procesin e integrimit financiar evropian të Shqipërisë.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan progresin e Shqipërisë në sektorin financiar, duke e cilësuar vendin si një nga shembujt më të suksesshëm të transformimit të sistemeve të pagesave në rajon.
Ata përgëzuan Bankën e Shqipërisë për anëtarësimin në SEPA, avancimin e projektit TIPS Clone, si dhe për rezultatet e arritura në kuadër të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP).
Sipas tyre, reformat e ndërmarra dhe kuadri i ri ligjor e rregullator kanë krijuar themele të forta për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar shqiptar dhe përafrimin e tij me standardet më të avancuara të Bashkimit Evropian.
Konferenca dyditore synon të nxisë shkëmbimin e përvojave ndërmjet institucioneve financiare dhe autoriteteve monetare nga e gjithë bota, me fokus zhvillimin e sistemeve të pagesave më të shpejta, më të sigurta, më efikase dhe më gjithëpërfshirëse për qytetarët dhe bizneset.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.