E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nga sot nis indeksimi i pensioneve në masën 2,5%

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Nga sot nis indeksimi i pensioneve në masën 2,5% për mbi 753 mijë pensionistë.

Masa e re përfshin të gjitha kategoritë e përfituesve, përfshirë pensionet e pleqërisë, invaliditetit, pensionet familjare, si dhe trajtimet e veçanta financiare të ushtarakëve, minatorëve, punonjësve të industrisë ushtarake dhe personave me funksione kushtetuese apo tituj shkencorë.

Synim kryesor i indeksimit është ruajtja e fuqisë blerëse të pensioneve kundrejt rritjes së çmimeve dhe efekteve të inflacionit.

Pensionet që do të caktohen nga kjo datë e në vazhdim do të përfitojnë gjithashtu nga ky indeksim, me kusht që data e lindjes së të drejtës së pensionit të jetë jo më vonë se 30 shtator 2025.

Qeveria ka përcaktuar gjithashtu kufij minimalë dhe maksimalë për pensionet e plota të pleqërisë dhe invaliditetit. Nga 1 tetori 2025 ato nuk do të jenë më pak se 18 335 lekë dhe jo më shumë se 36 670 lekë në muaj. Për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, kufiri minimal i pensionit do të jetë 12 554 lekë, ndërsa ai maksimal 18 335 lekë.

Gjithashtu, pensionet e parakohshme për ushtarakët nuk do të jenë më pak se 18 335 lekë në muaj. Përfituesit e pensioneve që janë caktuar deri më 31 dhjetor 2014 do të vazhdojnë të marrin edhe kompensimet për të ardhurat mujore minimale dhe për ndryshimin e çmimeve të energjisë, bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm, sipas vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave.

Pensioni social do të rritet në shumën 9 953 lekë në muaj, ndërsa e njëjta shumë do të vlejë edhe si pension bazë për ata që plotësojnë periudhën e sigurimit të përcaktuar në ligj.

Efektet financiare të këtij vendimi përllogariten në shumën prej 1,14 miliardë lekësh, e cila do të përballohet nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve i parashikuar në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Në total janë mbi 753 mijë pensionistë që përfitojnë nga indeksimi, por pjesë e këtij vendimi janë edhe përfitues të skemave të tjera që llogariten në rreth 143 mijë afërsisht.

Qeveria ka si objektiv arritjen e një pensioni mesatar prej 400 eurosh për individët që kanë kontribuar plotësisht në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe një pension minimal prej 200 eurosh deri në vitin 2030.

Ky hap është një pjesë e një plani të gjerë që synon të forcojë mbrojtjen sociale dhe të rrisë standardin e jetesës për pensionistët.

Në kuadër të këtij plani, autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë ngushtë me ekspertët e Bankës Botërore për të hartuar një reformë të re të sistemit të pensioneve.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›