E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga turizmi mjekësor te inovacioni në ndërtim dhe sipërmarrja turistike, histori suksesi të shqiptarëve në “Flasim”

TIRANË, 14 qershor/ATSH-Maela Marini/ Turizmi mjekësor, inovacioni në ndërtimin e qëndrueshëm dhe sipërmarrja turistike ishin në fokus të episodit më të fundit të podkastit “Flasim” të Kryeministrit Edi Rama, ku u prezantuan histori suksesi të shqiptarëve që po kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Një prej të ftuarve ishte Merita Osmani, drejtuese e Shoqatës së Turizmit Mjekësor Shqiptar, e cila vuri në dukje potencialin në rritje të Shqipërisë për t’u shndërruar në një destinacion rajonal të turizmit mjekësor.

Sipas Osmanit, qëllimi i kësaj shoqate është promovimi i Shqipërinë si një destinacion i besueshëm për shërbime shëndetësore dhe për të tërhequr pacientë ndërkombëtarë të cilët sjellin të ardhura dhe ndikim të madh në ekonomi.

Osmani theksoi se zhvillimi i kësaj industrie mund të ndihmojë në zgjatjen e sezonit turistik gjatë gjithë vitit, duke kombinuar paketat e turizmit tradicional me shërbimet shëndetësore.

“Kjo duhet të bëhet edhe pjesë e strategjisë kombëtare për ta promovuar si një brand kombëtar, pra jo vetëm me iniciativa individuale të këtyre biznesmenëve. Tani është koha që ne ta marrim këtë potencial si të mirëqenë dhe t’i japim një zhvillim edhe më të madh në arenën ndërkombëtare duke synuar edhe tregje të reja në mënyrë që mos kemi ata turistët vetëm në sezon. Kjo është pika e dobët dhe e turizmit klasik”, tha Osmani.

Përmes turizmit mjekësor, Osmani theksoi se vendi rrit kapacitetin edhe për muajt e dimrit ku turizmi klasik vuan. “Kjo do ishte një nga gjërat më të bukura që ne të kombinonim paketat e turizmit klasik me paketat e turizmit mjekësor”, shtoi ajo.

Në podkast ishte i pranishëm edhe Riges Beqiri, themelues i kompanisë “Smart Tour Albania”, i cili ndau rrugëtimin e kompanisë nga një iniciativë e vogël turistike në një operator që në vitin 2025 ka shërbyer mbi 55 mijë turistë të huaj.

Beqiri tha se kompania organizon ekskursione ditore gjatë gjithë vitit drejt destinacioneve kryesore turistike të vendit, ndërsa synimi për këtë vit është arritja e shifrës prej 70 mijë vizitorësh.

“Smart Tour Albania është një operator turistik shqiptar i themeluar në vitin 2018, i cili nisi si një iniciativë shumë e vogël ku unë vetë bëja guidat me makinën personale për rreth 100 turistë të huaj në vitin e parë. Ndërsa tani, vetëm në vitin 2025, mbi 55,000 turistë të huaj kanë udhëtuar me kompaninë tonë dhe kemi krijuar një ekip me rreth 20 të punësuar dhe një flotë modeste makinash dhe autobuzash”, theksoi ai.

Beqiri vlerësoi rritjen e interesit të turistëve të huaj për Shqipërinë dhe ndikimin pozitiv që kjo ka sjellë për ekonominë lokale.

“Organizojmë ekskursione ditore me nisje të garantuara çdo ditë të vitit për turistët e huaj, kryesisht nga Tirana, por edhe nga Durrësi dhe Shkodra drejt destinacioneve më të njohura si Bovilla, Kruja, Berati, Lumi i Shalës, Durrësi dhe Ksamili. Puna jonë është vlerësuar gjerësisht në platformat online, ku turet tona renditen ndër më të vlerësuarat me 4.9 në TripAdvisor dhe rezultate shumë pozitive edhe në platforma të tjera ndërkombëtare”, shtoi Beqiri.

Një tjetër histori e prezantuar ishte ajo e Behxhetit, një shqiptar nga Kosova me mbi tre dekada përvojë profesionale në Finlandë, i cili ka zgjedhur të jetojë dhe investojë në Vlorë.

Themelues i kompanisë BVG Housing, ai prezantoi konceptin “Nomad Living”, një model ndërtimi ekologjik dhe të qëndrueshëm, i certifikuar në Finlandë, që bazohet në struktura modulare prej druri, me autonomi energjetike dhe ndikim minimal në mjedis.

Sipas tij, një projekt i propozuar në Palasë synon të zbatojë këtë filozofi përmes vilave të ngritura mbi pilotime dhe sistemeve plotësisht të pavarura energjetike, duke ofruar një model të ri zhvillimi për zonat turistike shqiptare.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›