E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ngjarja jashtë shkollës “Fan Noli”, Begaj: Të frenojmë promovimin e dhunës në hapësirën online

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, reagoi sot me një mesazh të posaçëm për ngjarjen tragjike të ndodhur sot në afërsi të një shkolle 9-vjeçare në Tiranë.

Begaj i shprehu ngushëllime familjes së 14-vjeçarit që mbeti viktimë e konfliktit me bashkëmoshatarët, ndërsa uroi shërimin e nxënësit tjetër që mbeti i plagosur.

Në këtë mesazh, Kreu i Shtetit bën apel për reflektim të shoqërisë shqiptare në edukimin e brezit të ri.

“Kjo ngjarje e rëndë na shqetëson dhe na ngarkon me përgjegjësi për mjedisin ku po rrisim dhe edukojmë fëmijët tanë, duke përfshirë shoqërinë, shkollën dhe familjen”, shkruan ndër të tjera Kreu i Shtetit, duke iu drejtuar prindërve, mësuesve dhe të gjithë komunitetit.

Gjithashtu Presidenti Begaj bën thirrje për rikthimin e shoqërisë shqiptare te vlerat dhe distancimin nga modelet e dëmshme që u ofrohen sot fëmijëve dhe të rinjve.

“Si shoqëri, kemi një sfidë të madhe përpara: Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën online, si dhe të ndalojmë çdo lloj shfaqje të dhunshme në shoqërinë tonë”, tha Begaj.

“Fëmijët dhe të rinjtë tanë- shprehet Kreu i Shtetit- meritojnë të orientohen drejt modeleve pozitive të punës, shkollimit dhe arritjeve nëpërmjet tyre”, theksoi më tej Kreu i Shtetit.

Policia e Shtetit njoftoi sot se “rreth orës 13:10, në rrugën “Qemal Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve”.

“Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit”, theksohet në njoftimin e policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›