Ngjarje e rëndë në Maliq, shkëmbim zjarri mes policisë dhe të kërkuarit për drogë, vritet efektivi i “Shqiponjave”, plagoset një tjetër. I lënduar edhe autori

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Lozhanit, në Bashkinë e Maliqit, ku gjatë një operacioni policor një efektiv i Forcave “Shqiponja” ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, efektivët kanë qenë në ndjekje të 43-vjeçarit Violand Braçellari, i cili rezultonte i shpallur në kërkim për veprat penale që lidhen me kultivimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Gjatë ndërhyrjes dyshohet se ka ndodhur një shkëmbim zjarri mes policisë dhe personit të kërkuar. Për pasojë, efektivi Enea Mekolli, 34 vjeç, ka humbur jetën, ndërsa efektivi tjetër, 36 vjeç, ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me helikopter drejt Tiranës për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore. I plagosur ka mbetur edhe autori i dyshuar.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dinamikës së saj.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë publikuar një njoftim zyrtar të detajuar, ndërsa pritet që Policia e Shtetit të japë më shumë informacion në vijim lidhur me këtë ngjarje të rëndë.
/rtsh.al/