Ngjashmëritë/ A fshihet gjurma e Ivan Meštrović-it në skulpturat e Odhise Paskalit?
BEN ANDONI
A ishte vallë vërtetë artisti i njohur kroat i shekullit XX, Ivan Meshtroviç, një frymëzim për skulptorët evropianë të kohës?! Mënyra sesi ka ndikuar? Si mund të jenë pikëtakimet e kësaj lidhje dhe ndikimi? Për kritikën kroate, kjo s’ka as edhe një mëdyshje. Për punët e shumë artistëve gjithashtu, kjo është e dukshme. Ndikimi i Meshtroviq vinte prej staturës dhe njohjes botërore që arriti qysh në fillimet e shekullit XX. Në këtë vazhdë, duke njohur disa punë, veç të tjerave të Odhise Paskalit, mjeshtrit tonë të skulpturës, të çojnë realisht në një arsyetim të tillë logjik. Mbase një studim i mëvonshëm i kujdesshëm do të krijonte premisa, kurse dokumentime dhe pohime në arkiva, mund ta afronin argumentin tonë. Tek e fundit, është gati e njëjta tipologji monumentale dhe tek skulptorë të tjerë shqiptarë. Dhe, tek kryemjeshtri ynë Paskali, figura të spikatura me një dramaticitet të tillë heroik, si ato të skulptorit kroat janë fare të zakonshme.
Nga Meshtroviq, lidhur me Shqipërinë, kam në kokë vetëm një vizatim të Skënderbeut, me emrin Juraj (Ðurða Kastriota Skanderbega) që e kam hasur në Galerinë “Meštroviæ” në Split. E has pas gati dy orësh këqyrje, mes një grupi vizatimesh dhe, vërtetë më emocionon që heroi ynë ka ngjallur dhe kureshtinë e mjeshtrit. Në fakt, ka një cikël të tërë personalitetesh ballkanike të ish-Jugosllavisë dhe Balkanit veç Antikitetit që u bënë frymëzim i tij.
Sot, Galeria e Splitit, e vendosur në ish-vilën e tij buzë detit në bulevardin që mban emrin e tij “Ivan Meštroviæ 46”, përmbledh mbi 190 skulptura në bronz, mermer dhe dru, shpërndarë në kopshte të bukura me tarraca, që hapen përballë detit. Dhe, fare pak njerëz për ta vizituar, e kujtoj me ironi atë çast në Splitin e mbushur me turistë. Kujtoja se nuk do të shihja më kaq shumë punë prej tij, derisa pak ditë më parë, do të gjendem për disa javë në një rezidencë përkthyesish dhe do të këqyr Atelienë “Meštroviæ”. Kjo e fundit është pjesë e Muzeut “Ivan Meštroviæ” së bashku me Galerinë “Kaštelet-Crikvina Meštroviæ” në Split dhe Kishën e Sakramentit të Bekuar në Otavice. Kjo është sot trashëgimia e skulptorit më të madh kroat me famë botërore, Ivan Meštroviæ, veç paraqitjeve në eksteriere.
Atelieja gjendet në Gornji Grad (qytetin e epërm të Zagrebit) dhe koleksioni i tij ruhet në një shtëpi familjare, ku artisti jetoi nga viti 1922 deri në vitin 1942. Me kamjen e tij, ndërtesa e shekullit XVII u adaptua si një atelie nga një shtëpi familjare. Më pas, artisti ia dhuroi godinën Republikës së Kroacisë (asokohe pjesë e ish-Jugosllavisë) së bashku me 300 skulptura guri, bronzi, druri, vizatime, litografi, por dhe mobile të bëra sipas dizajneve të tij. “Bashkoi dy shtëpi dhe këtu ngriti një mur, kur u nda me të shoqen, por gjithsesi e ndihu deri në fund të jetës”, më thotë ciceronia me një buzëqeshje të lehtë, teksa këqyr interesin tim. Gruaja e kujdesshme dhe simpatike ma bën Atelienë të dashur. Veç, një mase dokumentesh fotografike të artistit dhe arkiva personale, por edhe materiale të kolegëve të tij, kushtuar veprës dhe jetës së Ivan Meštroviæ që më bëjnë ta përjetoj këtë figurë madhore. Kur, mbetem në një seksion të shtëpisë, ku ai e ndante me studentët, vjen befas zëri i tij në një leksion që më ndjek pa fund për minuta të tëra dhe më bën të mendoj për artin e tij dhe mbi të gjitha kujtesën e shekullit XX.
BEFASIA DHE “IMAZHI” I SKËNDERBEUT?
Rikthehem në hollin kryesor, ku është një tavolinë e stërmadhe, të cilën e vëzhgon nga sipër një punë me një figurinë që i largohet Jezu Krishtit dhe ngjan më shumë me Shën Mërinë. Nuk e kuptoj realisht përballjen e autorit me ikonografinë kristiane në këtë punë. Zakonisht Krishti është i përkorë në kryq. “Jo, është diçka tjetër -më thotë gruaja, Ivan Meštroviæ donte ta përshkruante hapësirën qiellore në kuptimin hyjnor dhe t’i bënte homazh jo vetëm Krishtërimit, por edhe feve të mëdha botërore (Judaizmi, Islami, Budizmi, Hinduizmi dhe Konfucianizmi)”. I kërkoj ndikimin e Islamit dhe ku ndodhet, sepse nuk e kuptoj. Ma tregon duke e identifikuar tek pjesa kornizuese e dekorimit. “E ke të qartë tani, shton. Ai mendonte se të gjitha fetë identifikoheshin njësoj”. E pyes për pjesën monumentale, të cilën e kam hasur ngado, por edhe shumë frymë Rilindje. “Eh, në punët e tij janë profetë dhe personazhe të mëdhenj në stilin e Mikelanxhelos, artistin që e adhuronte, por fut dhe veten e tij, mbase sepse besonte se të dy ishin të frymëzuar nga i njëjti burim hyjnor”. Gruaja gati e adhuron dhe këtë e ndjej në këtë rrëfim. Kur bëhem gati të shmangem, befas shfaqet autoportreti i tij. Ciceronia e pikas. “Është punë e vitit 1911, më thotë pa e kuptuar ngecjen time, ngjashëm me të gjithë artistët e rangut të tij do e bëj shpesh autoportretin.
Tendencën e ka qysh më 1901 dhe do të vijojë deri në vitin 1961, kur për të fundit herë, bën portretin e tij, por shumë rinor, me qëllimin e madh të përcillte imazhin dhe gjendjen e tij të brendshme në materien që punonte”. I vij përreth dhe nga pas dëgjoj zërin e saj. “Puna u realizua në Romë në vitin 1911, gjatë periudhës kur kapi triumfin e madh në Ekspozitën Ndërkombëtare, pasi u blatua me çmimin e parë për skulpturë”. Nuk i flas. Befas nis t’i shpjegoj hamendësinë time. Autoportreti i tij është krejt gati i ngjashëm me “Skënderbeun” parak të Paskalit. Kuptohet pa përkrenaren dhe thellësinë e mprehtë të tipareve. Përballë, po si “Skërndërbeu” i kthyer krejt në profil, Meshtroviqi në rininë e tij mban një mjekër të veçantë dhe shpërfaq shprehjen e fortë, identitetin e madh personal, por edhe ndikimet e mjeshtrave evropianë të kohës, veçanërisht të famshmit Auguste Rodin. E vështroj gjatë. “Skënderbeu” ka gati të njëjtën shprehje, por më të theksuar në ikonografinë zyrtare. Kryevepra e Paskalit ka plotësuar vizionin, përfytyrimin dhe është pjesë e asaj që është tashmë pjesë e konfigurimit mental fizik të shqiptarëve. Ngjashmëria e punëve është tejet e madhe, përveç që Paskali ka theksuar mjekrën, vetullat dhe thellësinë e karakterit të tij. Nuk ka shqiptar që megjithë punët që i janë dedikuar Skënderbeut të donte shfaqje më të mirë vizuale për të se ajo e Paskalit. Ia shpjegoj cicerones, një njohëse e mrekullueshme dhe bashkëbiseduese e mirë. I tregoj për shkollimin, kohën e Paskalit dhe punë të tij. “Ka të ngjarë. Mos harro se: skulptorët e Ballkanit dhe më gjerë e adhuronin Meshtroviq dhe përmes tij shikonin se ku mund të arrinin”. Busti prej bronzi i Paskalit u vendos zyrtarisht në qytetin e Kukësit më 28 nëntor 1939 për të zëvendësuar një shtatore të Mbretit Zog, hequr pas pushtimit fashist. Prej atij çasti, ky imazh u kthye në standardin vizual identifikues të heroit tonë kombëtar. Puna e parë, kushtuar Skënderbeut, realizuar nga artisti patriot Murat Toptani më 1917, nuk e pati dot këtë peshë. U pëlqye kaq shumë puna e Paskalit, saqë ajo u vendos në Kërçovë (Nëntor 1941) dhe Dibër të Madhe ( Prill 1942) dhe gjendet sot nga Kryeministria deri te Presidenca, kurse kopje të tij zbukurojnë sheshe të komuniteteve shqiptare, si në Horën e Arbëreshëve (Siçili), Gjenevë (Zvicër), Londër, dhe ngado.
BEFASIA E DYTË
A mund të jetë vetëm ky përngjasim?! Jo monumentaliteti është ajo që i afron, por më shumë se kaq mënyra e këqyrjes së figurave historike të dy skuptorët. Dhe, befas në kopsht, shpërfaqet skulptura “Laokoon mojih dana” (“Laokoon i kohëve të mia”- 1905 në Vjenë). Qysh në realizimin e saj, në hershmërinë e krijimit, Laokonti konsiderohej si një kryevepër, që përfshinte fazën simboliste-impresioniste të Meshtroviq. Puna është realizuar në bronz (dimensionet 125 x 67 x 54 cm). Ndryshe nga çfarë mendohet, autori është larguar nga miti i mirëfilltë i priftit trojan për të eksploruar në mënyrë alegorike dinamikat psikologjike dhe erotike midis gjinive, referon ciceroinia. Për kritikën ishte natyralizmi i zakonshëm i Auguste Rodin dhe klima intelektuale vjeneze të fillimit të shekullit në këtë punë, madje duke përfshirë idetë bashkëkohore psikoanalitike. Më duket sikur m’i thotë literatura. “E di që kemi një vepër po të ngjashme edhe pse për fat të keq e kemi dhe se kemi”, i them cicerones. “Ka të ngjarë, të paktën për këto gjëra folëm”, ma kthen ciceronia, kur i them përngjasimin dhe elementët që e dallojnë me “Të Uriturin” e Paskalit. Është një nga veprat më të hershme të tij, me një dramaticitet plot dhimbje, jo si trishtimi pa fund i Lakontit për fundin e një qytetërimi, por dorëzimin nga jeta. Dhe, Paskali e ka përshkruar me një thellësi të jashtëzakonshme vuajtjen.
“I urituri” është vepra e parë në skulpturë e Odhise Paskalit dhe një nga kryeveprat e skulpturës shqiptare, që u realizua në vitin 1924 në Torino. Deri në 1939 vepra gjendej në Pallatin Mbretëror, kur u Beogradit: “Pobednik” (Fitimtari). Ajo është një pikë e shpeshtë e diskutimit dhe e lidhjes së Meštroviæ-in me shqiptarët. Komentuesit dhe historianët kulturorë shpesh vërejnë se figura mashkullore e stilizuar mban një kapelë minimaliste që i ngjan një plisi tradicional shqiptar (qeleshe) ose një kapelë bariu të lashtë ballkanike, e cila pasqyron fokusin karakteristik të Meštroviæ-it në traditat folklorike rajonale. Kurse të mos harrojmë se torsi i tij i Milosh Obiliq ose Kopiliq (si i thonë shqiptarët), luftëtarit të Fushë Kosovës që vrau Sulltan Muratin I, dhe që ruhet në Beograd, është qasja e tij e dytë direkte, paçka se historiografia serbe e hedh poshtë origjinën e figurës së madhe, por me mungesa dokumentare. Por, autori i këtyre rreshtave ka kapur edhe vizatimin e tij kushtuar Skënderbeut dhe që ruhet në Split, ndërsa ka dëgjuar se Skënderbeu i tij ka qenë në konkurrim në konkursin për ekuestrin e tij para Luftës së Dytë Botërore…
EPILOG
Mendoj se ka fushë të gjerë për një temë të madhe, lidhur me ndikimin e Meshtroviq për kulturën shqiptare, por përmes tij edhe artin e madh që kanë synuar shqiptarët. Për fat, puna e Paskalit me ngjashmëritë e mëdha të punëve të Meshtroviq mund të shërbejë si një fillesë. Ciceronia më grish të vij sërish në Atelienë. Megjithë atraksionet në Gornji Grad, ku gjendet Atelie nuk gjej vend më tërheqës. I buzëqesh një polici, që i kërkova ndihmë të ma tregonte Atelienë dhe që nuk e dinte. “Aty, e ke- i them dhe ai bëj me gisht. Duhet ta shohësh”, i them. “Po detyra”, më thotë hokatar dhe më tregon një grup turistësh që po mësynë në katedrale. Verë 2026
/Gazeta Panorama