Ngrihet taskforcë për zbatimin e marrëveshjes me Italinë për migracionin

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave me propozimin e ministrit të Brendshëm vendosi sot ngritjen e Taskforcës për zbatimin e protokollit, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, si dhe të marrëveshjes zbatuese të tij.
Sipas vendimit të qeverisë Taskforca ka për qëllim koordinimin, ndjekjen dhe mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes me Italinë për emigrantët, në përputhje me fushën e përgjegjësisë së institucioneve të përfshira.
Taskforca do të drejtohet nga zëvendësministri i Brendshëm, përgjegjës për çështjet e migracionit, dhe ka në përbërje si anëtarë zëvendësministra nga ministritë përkatëse, si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.
“Taskforca ka si detyrë: të hartojë planin e veprimit, sipas fushave të përgjegjësive të institucioneve të përfshira, si një dokument i vetëm i miratuar; të evidentojë strukturat, përgjegjësitë dhe detyrimet, në rast të situatave të paparashikuara që lindin gjatë zbatimit të protokollit dhe të marrëveshjes zbatuese të tij; të trajtojë kërkesat dhe çështjet e përcjella nga Ambasada e Republikës së Italisë në Tiranë nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, që lidhen me zbatimin e protokollit dhe të marrëveshjes zbatuese, si dhe merr vendime, të cilat i përcillen për zbatim strukturave përkatëse, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Pjesë e Taskforcës do të jetë edhe një sekretariat teknik, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të përfshira. Ky sekretariat do të kujdeset për organizimin e punës, koordinimin ndërinstitucional, si dhe administrimin e dokumenteve të ardhura nga pala italiane dhe paraqitja e tyre Taskforcës për shqyrtim dhe koordinim të veprimeve të mëtejshme.
Taskforca është funksionale deri në përfundimin e zbatimit të protokollit.
Ngarkohen titullarët e institucioneve, të përmendura në vendim, që brenda 10 (dhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e tij, të caktojnë dhe të dërgojnë pranë Ministrisë së Brendshme emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë Taskforcë, si dhe në sekretariatin teknik mbështetës.
Ngarkohet Taskforca për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/m.q/r.e/a.f/