Nis “Ekrani i Artit”, rreth 60 filma në Kinema “Republika” në Shkodër gjatë pesë netëve

Ka nisur në Shkodër edicioni i nëntë i festivalit “Ekrani i Artit”, një nga aktivitetet më të rëndësishme në vend për filmin eksperimental dhe artin bashkëkohor vizual. Për pesë ditë me radhë, festivali do të sjellë për publikun filma, ekspozita, performanca dhe diskutime artistike në disa hapësira kulturore të qytetit.
Tea Paci vjen edhe këtë vit si drejtoreshë artistike dhe kuratore e festivalit. Ajo u ndal te tematika e këtij edicioni nën emërtimin “Avash, Avash”.
“Një ftesë me jetu botën ngadalë por edhe me vëmendje sepse mendoj që bota sot ka nevojë për vëmendje”, tha ajo.
Paci evidenton edhe rolin që luan kinemaja në këtë festival.
“Për mua është me rëndësi që kinemaja të jetë e mbushur sepse ka nevojë për njerëzit që ta frekuentojnë”, u shpreh Paci.
Në natën e parë festivali vijoi me një bisedë me regjisoren e ftuar Marie Valentine Regan, pas shfaqjes së filmit “Adnan being and time” në Kinema “Republika”. Ndërkohë, më herët në Galerinë e Arteve në Shkodër u çel edhe ekspozita “People are closer than they appear”, kuruar nga Maurin Dietrich. Festivali “Ekrani i Artit” do të vijojë deri më 31 maj, ndërsa përgjatë këtyre ditëve do të shfaqen rreth 60 filma në Kinema “Republika”.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/