Zbulohen 20 këngët pjesëmarrëse në Festivalin e Pranverës, klipet publikohen në kanalin e RTSH në Youtube

Ndërsa ka filluar numërimi mbrapsht për netët e shumëpritura të spektaklit “Festivali i Pranverës”, të cilat do të mbahen më 6 dhe 7 qershor në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB), Radio Televizioni Shqiptar ka zbuluar një pjesë të rëndësishme të mozaikut të këtij eventi artistik.
Këngët në YouTube dhe pëlqimet e publikut
Për t’i dhënë mundësinë publikut të njihet me krijimet përpara netëve live, të 20 këngët pjesëmarrëse janë publikuar sot (28 maj) në kanalin zyrtar të RTSH-së në YouTube. Dëgjuesit jo vetëm që mund të shijojnë këngët, por mund të njihen me detaje të plota për secilën prej tyre, duke përfshirë artistët interpretues, titullin e këngës, si dhe autorët e kompozimit, tekstit dhe orkestruesit.
Kjo hapësirë online i jep mundësi audiencës të japë mendimin e saj dhe të zhvillojë garën e pëlqimeve (likes) përpara se artistët të ngjiten në skenë.
Formati live dhe dyshja e prezantuesve
Festivali i këtij viti premton një ndërthurje të fuqishme emocionesh, nostalgjie dhe risish artistike. Të 20 artistët konkurrues do të performojnë tërësisht live, të shoqëruar nga tingujt profesionistë të Orkestrës Simfonike të RTSH-së dhe bandës muzikore, duke rikthyer kështu vlerat e vërteta të interpretimit vokal dhe instrumental.
Për të udhëhequr këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, organizatorët kanë përzgjedhur një dyshe mjaft të njohur të ekranit. Këngëtarja Bleona Qereti dhe aktori me famë ndërkombëtare, Nik Xhelilaj, do të jenë prezantuesit zyrtarë që do të shoqërojnë publikun përgjatë dy netëve të Festivalit të Pranverës.
Të 20 këngët e Festivalit të Pranverës mund ti ndiqni duke klikuar KETU
/rtsh.al/