E Martë, 3 Nëntor 2026

TURQI – Oçalan kërkon ndërprerjen e luftimeve, në videon e parë pas 26 vitesh

ANKARA, 9 korrik /ATSH-DPA/ – Abdullah Ocalan, themeluesi i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), aktualisht i ndaluar në Turqi, u bëri thirrje mbështetësve të tij të braktisin luftën e armatosur kundër shtetit turk, duke iu drejtuar atyre drejtpërdrejt përmes videos, për herë të parë pas 26 vitesh.

Në videon e datës 19 qershor dhe të publikuar nga agjencia e lajmeve ANF e lidhur me PKK-në, Ocalan përsëriti thirrjen e tij të shkurtit për paqe pas dekadash konflikti të përgjakshëm me Turqinë.

“Lëvizja PKK, e themeluar mbi mohimin e ekzistencës dhe qëllimi i së cilës ishte krijimi i një shteti kombëtar, me strategjinë e saj të çlirimit kombëtar, i është dhënë fund”, tha 75-vjeçari, i burgosur në një ishull pranë brigjeve të Stambollit që nga viti 1999.

E klasifikuar si organizatë terroriste nga Turqia, BE dhe Shtetet e Bashkuara, PKK njoftoi shpërbërjen e saj në maj në përgjigje të thirrjes së Ocalan në shkurt.

Ocalan bëri thirrje që procesi i paqes të monitorohet nga një komision parlamentar turk dhe i kërkoi partisë pro kurde DEM – ndërmjetësuese midis PKK-së dhe Ankarasë – të kontribuojë në përparimin e bisedimeve.

“Kjo nuk është një humbje, por një fitore historike”, tha ai, duke shtuar se strategjia e armatosur e PKK-së, e cila është zhvilluar për dekada të tëra, e kishte arritur qëllimin e saj pas njohjes së ekzistencës kurde.

Ende nuk është e qartë se çfarë lëshimesh, nëse ka, mund të kenë marrë kurdët.

Partia DEM ka bërë thirrje për masa demokratizimi dhe të drejta më të mëdha kulturore dhe politike për kurdët e Turqisë, të cilët përfaqësojnë afërsisht 20% të popullsisë./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›