E Enjte, 5 Nëntor 2026

Nis Maratona e Tiranës, rreth 5000 pjesëmarrës nga 50 vende të botës

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Rreth 5000 garues nga 50 vende të botës nisën sot edicionin e 8-të të Maratonës së Tiranës.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga nisja e maratonës në orën 09:00 nga sheshi “Skënderbej”.

“Një ambicie e shpallur si fillim nga bashkia e Tiranës jo shumë vite më parë, me disa dhjetëra të “çmendur” që morën pjesë në maratonën e parë dhe sot një nga realitetet e bukura të Tiranës së re europiane dhe Turistike, e cila tanimë është pjesë e denjë edhe e stacioneve të klubit europian të maratonistëve. Falënderim e duartrokitje për pjesëmarrësit nga shumë vende, po edhe një duartrokitje e posaçme për skuadrën e Bashkisë së Tiranës”, tha Rama.

Ndërsa kryebashkiaku Veliaj tha se “në maratonë garuesit e regjistruar, nga të cilët mbi 900 të huaj, garojnë në 4 kategori: We too 5 km; 10 km; 21 km; 42 km”.

Itinerari i maratonës është nëpër pikat më tërheqëse të Tiranës. Kjo maratonë zhvillohet në katër kategori kryesore: “Marathon”, “Half Marathon”, “Tirana 10K” dhe “We Too” dhe për secilën prej tyre janë parashikuar çmime të ndryshme.

Në maratonë garon edhe atletja Luiza Gega në kategorinë 42 km.

Një ditë para aktivitetit të madh sportiv “Maratona e Tiranës”, në kryeqytet u zhvillua të shtunën gara e vrapimit “Fun Run Tirana” që mblodhi së bashku 2000 nxënës nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të cilët vrapuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me mesazhin sensibilizues për edukimin e të rinjve përmes sportit.

Me rastin e këtij aktiviteti që do të shtrihet në rrugët kryesore të qytetit, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë hartuar një plan masash për devijimin e qarkullimit të automjeteve.

Prej 8 vitesh, maratona është kthyer në një traditë për kryeqytetin. Maratona e Tiranës do të mbyllet në orën 16:00.

1 nga 6

Fotot: Agim Dobi

/k.s/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›