Nis funksionimi i landfillit të Sherishtës në Vlorë

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Në afërsi të fshatit Sherishtë, njësia administrative Kaninë, Vlorë, ka filluar përdorimi i qelizës së parë të landfillit si pjesë e programit të Menaxhimit të Mbetjeve që synon të krijojë një sistem modern dhe të integruar të menaxhimit të mbetjeve për rajonin verior (qyteti i Vlorës dhe Selenica).
Projekti ka vlerën rreth 25 milionë euro mbështetje nga Gjermania, nga të cilat më shumë se gjysma si grant.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha inspektoi sot bashkë me ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner landfillin e Sherishtës.
“Sot jemi në fazën që kemi filluar të përdorim qelizën e parë të landfillit të Sherishtës, i cili për arsye të karakterit juridik pati një vonesë prej dy vitesh me punën, por sot jam i lumtur që me punën që ka bërë bashkia në bashkëpunim me ambasadën gjermane edhe KFW arritëm të bëjmë të mundur të vendosim qelizën e parë të landfillit në funksion”, theksoi Dredha.
Drejtoresha e Qendrës Rajonale të Menaxhimit të Mbetjeve pranë bashkisë së Vlorës, Arjona Bojaxhi u shpreh se “do të fillojmë një projekt pilot për ndarjen e mbetjeve të riciklueshme në qytet, do vendosim 100 kosha për t’i ndarë mbetje në burim dhe pastaj t’i depozitojmë në landfill mbetjet që nuk riciklohen”.
“Shpresojmë që me ndihmën e qytetarëve kjo fazë të eci sepse vetëm bashkia nuk mund ta kryejë gjithë këtë punë pa ndihmën e qytetarëve”, tha Bojaxhi.
Programi i Menaxhimit të Mbeturinave të Vlorës synon të krijojë një sistem modern dhe të integruar të menaxhimit të mbetjeve për rajonin verior (qyteti i Vlorës dhe Selenica). Kjo iniciativë kontribuon ndjeshëm në praktikat e qëndrueshme të mbetjeve në Shqipëri, duke mbështetur strategjinë kombëtare të mbetjeve dhe duke çuar përpara përafrimin e vendit me standardet mjedisore të BE-së.
Konceptet për parandalimin, riciklimin ose rikuperimin e mbetjeve, me qëllim mbështetjen e ndryshimit të paradigmës së iniciuar nga BE-ja drejt një ekonomie rrethore, janë duke u zbatuar.
E gjithë popullsia brenda zonës së projektit (afërsisht 147,000 banorë plus mbi 1 milion turistë vjetorë) do të gëzojë kushte të përmirësuara mjedisore, shëndet publik të përmirësuar dhe një cilësi më të mirë jetese.
Ndërkaq, po në qarkun e Vlorës, në Orikum, po vijon puna për ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve. Projekti parashikon ndërtimin e 5 stacioneve të rinj dhe rinovimin e 4 aktualëve dhe financohet nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Lorenc Verçani, menaxher i projektit tha sot në një prononcim për mediet nga kantieri i punimeve se “projekti i rehabilitimit të ujësjellësit dhe kanalizimeve ka për qëllim rehabilitimin e impiantit ekzistues, ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve”. Sipas tij, janë 30 km rrjet kryesor e sekondar.
“Është një projekt prej 5.3 milionë euro investim, 60% është i përqendruar për rehabilitimin e impiantit që dikur ishte ndërtuar. Ky projekt parashikonte ndërhyrjen në përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese në drejtimin e pjesëve elektromekanike”, theksoi Verçani.
Ky projekt, shtoi ai, fillon nga Onufri deri në Fushë Dukat, është i projektuar për trajtimin e ujërave të ndotur për afro 53 mijë banorë.
Verçani u shpreh se “”projekti është shumë i rëndësishëm për zonën Orikumit, por edhe për zonën e Tragjasit, Radhimës dhe Dukatit. Parashikohet të përfundojë në shtator, në fazën ku jemi është bërë rreth 80-90 % të punimeve”, tha Verçani.
1 nga 6/k.s/j.p/