E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis greva e urisë e 250 punonjësve të “Bankers Petroleum”, kërkojnë kushte pune më të mira e paga më të larta

Ashtu siç u lajmërua, naftëtarët e “Bankers Petroleum Albania”, kanë nisur grevën e urisë në kërkim të kushteve më të mira pune.
Janë rreth 250 punonjës ne greve , teksa 80% e punës është ndërprerë. Janë rreth 400 puse nafte që nuk po monitorohen nga punonjësit, nga 600 puse aktive në total që ka Bankers.
Dy janë kërkesat e tyre kryesore, rritja e pagës dhe përmirësimi i kushteve të punës.
Deri më tani, asnjë nga administrata e Bankers nuk ka kthyer përgjigje për kushtet e grevës dhe kërkesat e tyre, bën me dije gazetarja Sefa.
Punonjësit e Bankers kërkojnë njëzëri rritje page të paktën 1 mijë euro në muaj. Ata kanë paralajmëruar se nga ora 07:00 e mëngjesit të së enjtes do të ndërpritet puna.
Kjo është protesta e katërt e organizuar nga Sindikata e Bankers gjatë vitit 2025. Kërkesave të tyre nuk u është ofruar asnjë zgjidhje, ndaj ata morën vendimin ekstrem për të hyrë në grevë urie.
Kujtojmë se kompania “Bankers Petroleum Albania”, po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për mashtrim nga ana e drejtuesit dhe disa punonjës të kompanisë.
Në korrik, Prokuroria e Fierit, e cila nisi fillimisht hetimet për t’ia kaluar kompetencën më pas SPAK-ut, njoftoi se pas 6 muajsh punë hetimore, kishte dërguar në gjykatë 14 masa sigurie, mes të cilave edhe për CEO-n aktual të “Bankers Petroleum Albania”, H.X. dhe ish-CEO-n L.Ç., të dy të arrestuar.
Referuar hetimeve, organi i akuzës bëri të ditur që kishte dokumentuar se personat nën hetim kishin ngritur skema mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar, kanë fshehur të ardhurat apo kryer pastrim parash.
Hetuesit thonë se, edhe pse shoqëria ka kryer eksporte në sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier, ka deklaruar shpenzime që tejkalonin këto fitime. Sipas akuzës, nga hetimet e kryera përmes përgjimeve dhe analizave të kontratave të lidhura nga Bankers, shpenzimet rezultonin si fiktive.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›