E Hënë, 2 Nëntor 2026

Popa: Ndërhyrjet në sy me pajisje dhe teknologji të avancuar në QSUNT

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Në shërbimin e Okulistikës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” diagnostikimi, ndjekja dhe trajtimi i të gjitha patologjive që lidhen me shikimin kryhen sipas standardeve më të larta të kujdesit shëndetësor.

Në Ditën Botërore të Shikimit, dr. Megi Popa pranë Spitalit Francez në QSUNT, shprehet se është e rëndësishme që kontrollet periodike të syrit të nisin që në moshë të hershme si për personat që nuk paraqesin asnjë patologji në sy, si për individët që vuajnë nga sëmundje të ndryshme të syrit.

“Ne rekomandojmë që një herë apo dy herë në vit këto kontrolle të bëhen te mjeku specialist, por edhe më shpesh nëse është nevoja. Mjeku okulist duhet të jetë gati që të bëjë një anamnezë të detajuar të problematikave të pacientit me sëmundjet bazë nga të cilat vuan, edhe që mund të japin pasoja edhe në sy”, tha Popa.

Dr. Popa nënvizoi se është e rëndësishme që të bëhet një kontroll me biomikroskop që mjeku të krijojë një ide të pjesës së përparme dhe pasme të syrit që shpesh jep shenja të sëmundjeve të tjera bazë.

“Ekzaminimi klinik është i rëndësishëm, por ne gjithmonë kërkojmë ta vërtetojmë idenë tonë edhe me imazheri të tjera klinike. Një nga më të rëndësishmet që ne kryejmë në spitalin francez në QSUNT është skaneri i syrit që është një ndihmë e madhe për mjekun dhe pacientin. Pacientë që vuajnë nga diabeti, pasi diabeti bën dëmtime në nivel retinal dhe në vaskularizimin e syrit dhe është e rëndësishme që të kuptohet sa të avancuara janë këto dëmtime”, tha ajo.

“Skaneri i syrit bën një shtresëzim të nivelit retinal në shtresat e retinës dhe na bën të kuptojmë nëse ka nevojë të trajtohet me injeksione të tjera. Një nga kirurgjitë më të shpeshta është kirurgjia e kataraktës, që përfshin grup-moshën e tretë. Kjo konsiston në heqjen e kataraktës dhe vendosjen e një lenteje intraokulare, e cila mbahet gjatë gjithë jetës”, tha Popa.

Mjekja okuliste tha se ka edhe kirurgji të tjera që lidhen me trajtimin e glaukomës, strabizimit, dhe në patologji të ndryshme retinale.

“Niveli i aparaturave në spitalin tonë është nivel aq i lartë sa mund të krahasohet me spitalet botërore. Kjo favorizon pacientin për një trajtim sa më të mirë, por favorizon edhe mjekët e rinj specializantë që kërkojnë të trajnohen apo të arrijnë në një nivel sa më të lartë profesional”, tha Popa.

Në shërbimin e Okulistikës në QSUT, pajisjet moderne dhe teknologjia e avancuar, mundësojnë realizimin e ndërhyrjeve në sy nga ato rutinore, deri tek rastet më të ndërlikuara që kërkojnë ekspertizë të veçantë.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›