E Martë, 3 Nëntor 2026

Nis ndërtimi i rrjetit të ri të ujësjellësit në Trebinjë, u shërben mbi 4500 banorëve


TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Ndërtimi i rrjetit të ri të ujësjellësit në zonën e Trebinjës, bashkia Pogradec, do të përmirësojë furnizimin me ujë të pijshëm për mbi 4500 banorë në 8 fshatra të kësaj zone.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje të kantierit, projekt i cili  financohet nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK) dhe ka një afat zbatimi prej 15 muajsh.

“Ka nisur puna për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në Trebinjë, Pogradec, që u vjen në shërbim 8 fshatrave me 4500 banorë”, u shpreh Rama.

Rreth 70 kilometra linear tubacion parashikohen të shtrihen në kuadër të këtij investimi, së bashku me ndërtimin e 8 depozitave të reja uji, të cilat do të sigurojnë shpërndarje të qëndrueshme dhe efikase në të gjithë territorin e përfshirë.

Zona përfituese përfshin fshatrat: Trebinjë, Dunicë, Gur i Bardhë, Kalivaç, Potkozhan, Malinë, Pelevan dhe Pleshisht, ku furnizimi me ujë ka qenë një sfidë prej vitesh për komunitetet lokale.

Përmes këtij investimi synohet jo vetëm rritja e cilësisë së jetesës për banorët, por edhe krijimi i kushteve më të mira për zhvillimin social e ekonomik të zonës.

/r.e/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›