E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis protesta e 13-të kundër qeverisë, qytetarët mblidhen sërish në shesh

Qytetarë të shumtë kanë nisur të mblidhen këtë të premte në qendër të Tiranës për protestën e 13-të radhazi kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Tubimi, i cili vjen pas disa javësh protestash të pandërprera, pritet të përqendrohet te kundërshtimi i projektit turistik në Zvërnec dhe akuzat e protestuesve për mungesë transparence në vendimmarrjet e qeverisë.

Në shesh janë parë qytetarë nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit, ndërsa pjesëmarrësit mbajnë flamuj kombëtarë dhe pankarta me thirrje kundër qeverisë. Atmosfera para nisjes së protestës paraqitet e qetë, ndërkohë që forca të shumta policie janë vendosur në perimetrin e institucioneve kryesore për garantimin e rendit dhe sigurisë.

Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke e cilësuar protestën si një reagim qytetar në mbrojtje të interesit publik dhe pasurive natyrore të vendit.

Protesta zhvillohet në të njëjtën ditë kur Partia Socialiste feston 35-vjetorin e themelimit të saj, duke i dhënë edhe më shumë ngarkesë politike zhvillimeve të kësaj pasditeje në kryeqytet.

Pritet që gjatë orëve në vijim të ketë fjalime nga përfaqësues të protestuesve, ndërsa mbetet për t’u parë nëse tubimi do të shoqërohet me marshim në rrugët kryesore të Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›