Nis rindërtimi me 4 kate i shkollës “Edith Durham”, Rama: Kushte dinjitoze për nxënësit

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Edith Durham”, një nga shkollat ikonë të Tiranës, do të rindërtohet me standarde më të mira për nxënësit e saj.
Punimet kanë nisur këtë muaj dhe pritet që godina të jetë gati për sezonin e ri shkollor, vitin e ardhshëm.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky kantier dhe transformimi që pritet të ndodhë me përmbylljen e investimit.
“Edhe një tjetër shkollë do të rilind nga e para në Tiranë, “Edith Durham”, një ndër institucionet ikonë të kryeqytetit, që do të zgjerohet nga dy në katër kate, me klasa të bollshme, bibliotekë e kushte dinjitoze për të gjithë nxënësit dhe mësuesit”, u shpreh Rama.
Kjo është shkolla e 47-të që po rindërtohet në kryeqytet.
Nga një godinë me dy kate, shkolla e re do të ndërtohet me katër kate, njëri prej të cilëve nëntokë dhe do të shërbejë për të mbajtur bazën materiale, pa ngushtuar hapësirat për fëmijët.
Tre katet e tjera të godinës do të jenë të aksesueshme përmes ashensorit, duke lehtësuar edhe lëvizjen për fëmijët me aftësi të veçanta.
Një tjetër hapësirë e rëndësishme e shkollës së re, do të jetë edhe palestra, e cila mund të përdoret edhe nga banorët i Njësisë 5.
1 nga 8/m.m/a.f/