E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis votimi me postë nga diaspora e Kosovës, KQZ për herë të parë do dërgojë me postë pakot me fletëvotime

Ndërkohë që Kosova përgatitet për zgjedhjet vendore të 12 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë përsipër që për herë të parë rreth 44 mijë votuesve të regjistruar nga jashtë vendit t’ua dërgojë përmes postës pakot me fletëvotime përmes të cilave mund të ushtrojnë të drejtën e votës. Procesi nisi më 17 shtator dhe zgjat deri më 11 tetor.

Një ditë pas nisjes së procesit të votimit për diasporën e Kosovës, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi deklaroi se për herë të parë votuesve të regjistruar për të marrë pjesë në votim do t’u dërgohen me postë pakot me dy fletëvotime.

“KQZ synon që brenda javës të përmbyllë procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 44 mijë votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për të votuar përmes postës në zgjedhjet lokale. Është hera e parë që KQZ i ka dhënë vetes detyrë që shtetasve të cilët regjistrohen për të votuar përmes postës, të i’a dërgoj përmes postës pakon me nga dy fletëvotime: një për zgjedhjet për Kryetar Komune dhe një për Zgjedhjet për Kuvend Komunal”, u shpreh zëdhënësi i KQZ në Kosovë, Valmir Elezi.

Sipas këtij të fundit, ndonëse votuesit jashtë Kosovës nuk i kanë pakot me fletëvotime në kohën e fillimit të votimit, afati i mbetur për të votuar, i cili zgjat deri më 11 tetor është i mjaftueshëm, pasi KQZ ka hapur kutitë postare në dhjetëra shtete të ndryshme të botës.

“Vlerësojmë se afati i vendosur nga ana e KQZ për votimin jashtë Kosovës me postë është i mjaftueshëm. Janë më shumë se 20 ditë në dispozicion të shtetasve të Kosovës, pra të votuesve për të dërguar pakon e tyre me fletëvotime në ndonjërën nga kutitë postare të cilat KQZ i ka hapur në 23 shtete të ndryshme, përfshirë edhe Kosovën”, deklaroi Elezi.

Shërbimi i votimit me postë pritet të realizohet për 43 mijë e 933 shtetasit e Kosovë, të cilët aplikuan dhe u regjistruan për të votuar në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi një ditë më parë se deri tani janë proceduar rreth 34% e fletëvotimeve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›