E Diel, 1 Nëntor 2026

Niveli i ujit në Obot të Shkodrës në rënie, rrugët të kalueshme në qark

Situata hidrologjike në territorin e qarkut të Shkodrës paraqitet më e përmirësuar krahasuar me ditën e djeshme, me ulje të niveleve të ujit në zonat e prekura. Në fshatin Obot, aksi rrugor që lidh zonën me rrugën kryesore vijon të ketë prezencë uji rreth 90 cm, nga rreth 100 cm një ditë më parë, duke treguar një tendencë rënieje. Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa mjetet e Bashkisë Shkodër dhe varkat ndodhen në terren për të garantuar aksesin dhe ndihmën për banorët. Uji është i pranishëm në oborre, por nuk raportohet prezencë në banesa.

Në Njësinë Administrative Dajç, konkretisht në zonën Urrelat–Shirq, është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 10 cm. Ka prezencë uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por banesat nuk janë të prekura.

Në territorin e bashkive Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Nuk raportohen problematika apo emergjenca, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e vazhdueshëm.

Drejtoria Rajonale e Rrugëve Shkodër raporton se nuk ka probleme me qarkullimin. Në akset malore rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe zinxhirëve.

Qarkullimi në akset Qafë Mali–Fierzë dhe K/Hadroj–Q/Bënë kryhet me goma dimërore dhe zinxhirë.

Akset Dedaj–Razëm, Bogë–Qafë Thore–Theth dhe Hani i Hotit–Vermosh janë të kalueshme, por kërkohet respektim rigoroz i rregullave të qarkullimit, sinjalistikës dhe përdorimi i pajisjeve dimërore.

Sipas Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese të lumenjve Drin dhe Bunë mbeten nën kuotat kritike për përmbytje. Hidrovoret e Velipojës janë në funksion të plotë, me nivelin -1.90 m. Deri tani nuk janë raportuar problematika në argjinatura dhe veprat ujore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›