Një ditë pas konfliktit të adoleshentëve, prindërit të frikësuar për sigurinë e fëmijëve

Pas ngjarjes të një dite më parë, ku dy 16-vjeçar u konfliktuan me thika, shkolla “Ibrahim Rugova” sot ka mbyllur dyert duke mos lejuar gjimnazistët të dalin jashtë ambienteve shkollore.
Tek i pyet të rinjtë jashtë rrethimit të shkollës për të mësuar diçka më shumë mbi konfliktin e djeshëm, ata hezitojnë të flasin, por nuk e mohojnë se ngjarja i ka frikësuar.
Drejtuesit e shkollës dhe oficeri i sigurisë nuk kanë pranuar të japin informacion nëse kanë qenë në dijeni më herët për konfliktin e gjimnazistëve.
Ndërsa prindërit thonë se janë njoftuar mbi ngjarjen nga mësuesit e shkollës, e më pas kanë vrapuar drejt fëmijëve për t’i pyetur e mësuar më shumë detaje.
“Si çdo prind edhe ne u shqetësuam për ngjarjen e djeshme, një ngjarje që ka ndodhur jashtë ambienteve të shkollës. Nuk e përjetuam mirë, secili do ta llogariste sikur të ishte fëmija i tij. Kjo është një moshë që i bën”, shprehet një prind.
“Kam qenë vetë nxënës këtu, raste kemi pasur, domethënë kishte konflikte, një herë në javë kishte”, shprehet një ish-nxënës në këtë shkollë.
“Unë jam prind dhe dje kam qarë për rastin. Duhet të bashkëpunojë trinomi fort: mësues – prind – nxënës. Duhet një siguri më e rreptë”, shprehet një tjetër prind.
Disa nga banorët e Kamzës janë informuar për ngjarjen nga media, të tjerë kanë qenë prezent kur të rinjtë janë transportuar për në spital.
Konfliktet e dhunshme mes nxënësve në shkolla janë kthyer në një problem madhor. Në vitet e fundit janë shënuar disa ngjarje të dhunshme ku shkak janë bërë komunikimet me gjeste, ato verbale, por edhe bashkëbisedimet në rrjete sociale ndërmjet të rinjve.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/