Shqipëria dorëzon paketën për “Bashkimin Doganor”, dokumenti pjesë e “Kapitullit 29” të negociatave për përafrimin e legjislacionit

Administrata Doganore Shqiptare ka njoftuar përcjelljen zyrtarisht pranë Komisionit Europian të paketës së plotë të dokumentacionit të kërkuar për Kapitullin 29 – “Bashkimi Doganor”. Pjesë e Grupkapitullit 3, kapitulli i veçantë për doganat është plotësuar tani nga pala shqiptare me kalendarin legjislativ dhe tabelat e konformitetit me legjislacionin europian.
Po ashtu dokumentacioni i dorëzuar nga Shqipëria përmban strategjitë kryesore të administratës (biznesit, burimeve njerëzore, trajnimit), masat për rritjen e integritetit dhe performancës së strukturës doganore, planin kombëtar shumëvjeçar për sistemet IT dhe masat për ndërveprim me sistemet e BE-së.
Dokumentacioni përmban dhe informacionin mbi ratifikimin e Protokollit të Konventës Kuadër për Kontrollin e Duhanit dhe Raportin vjetor “Libri Jeshil – Dogana 2024 dhe Prioritetet 2025”. Në pozicionin e përbashkët për Grupkapitullin 3, të siguruar nga Televizioni Publik, Kapitulli 29 konstaton se Shqipëria ka një nivel të avancuar të përafrimit me fushat që kërkojnë përafrim të mëtejshëm, duke përfshirë aktet që zbatojnë Kodin Doganor të Unionit, me vëmendje të veçantë në statusin doganor të mallrave dhe në aspektet e tranzitit, menaxhimit të riskut doganor dhe sigurisë, mallrave kulturore, kontrolleve të parave të gatshme, prekursorëve të drogës dhe heqjes së tarifave të skanimit.
Po ashtu, kapacitete të mjaftueshme administrative dokumenti i jep Shqipërisë për demonstrim e përparim të mjaftueshëm në përgatitjen dhe zhvillimin e sistemeve digjitale doganore të nevojshme për zbatimin e Kodit Doganor të Unionit, dhe legjislacionit tjetër doganor të BE-së. Sipas tyre Strategjia kombëtare e IT-së dhe planit i zbatimit lejojnë doganat dhe ndërveprimin e tyre me mjedisin digjital doganor të BE-së. Një pike e veçantë i takon luftës kundër kontrabandës së duhanit, ndërsa një vlerësim përfundimtar i përputhshmërisë së legjislacionit të Shqipërisë me atë europian, pozicioni i përbashkët negociues e parashikon të mundshëm vetëm në një faze të mëvonshme të negociatave.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/