Një mace endacake “adopton” një pelegrin në Camino de Santiago

SPANJË, 15 gusht, ATSH- Një udhëtim në Camino de Santiago mori një kthesë krejt të papritur për Julio-n, një pelegrin i ri që ishte nisur nga Sarria për të përshkuar rrugën drejt Santiago de Compostela-s.
Më 2 maj, tre ditë pas nisjes, teksa largohej nga Palas de Rei në drejtim të Melide-s, Julio takoi një kotele të vogël endacake. Macja nisi ta ndiqte menjëherë. I ngjitej sipër, ecte pas tij dhe sa herë Julio vazhdonte rrugën, edhe ajo vazhdonte. Për rreth 15 kilometra, të dy përshkuan së bashku shtigje rurale dhe rrugë pyjore të Camino-s.
Në vend që ta linte pas, Julio vendosi të kujdesej për të. Shkoi te një veteriner në Melide, i vendosi pipetën kundër parazitëve dhe i bleu parzmore, zinxhir dhe një kafaz transporti. Madje, atë mbrëmje qëndroi në Melide për të riorganizuar të gjithë itinerarin, duke kërkuar edhe mënyra për të vazhduar udhëtimin së bashku me macen.
Por aventura nuk mbaroi aty. Në një zonë pyjore, rreth 15 kilometra larg Santiago-s, macja u zhduk. Julio mori me qira një biçikletë dhe përshkoi disa herë të njëjtën pjesë të rrugës në kërkim të saj. Në ndihmë i erdhën edhe pelegrinë të tjerë, të cilët e kishin parë macen gjatë rrugëtimit. Të nesërmen, ata e gjetën dhe njoftuan Julio-n. Sipas tij, macja kishte ecur vetë më shumë se 10 kilometra në kërkim të tij.
Më në fund, të dy mbërritën në Santiago. Julio e çoi përsëri te veterineri, ku u konstatua edhe një problem me syrin, për të cilin mori trajtim. Pelegrini e quajti macen Santi, në nder të destinacionit të udhëtimit.
Sot, Santi jeton me Julio-n dhe një mace tjetër të familjes. Ajo që nisi si një takim i rastësishëm në një shteg të Galicisë përfundoi me një adoptim të vërtetë.
“Ajo më kishte adoptuar mua dhe e meritonte”, ka thënë Julio për këtë histori që ka prekur mijëra njerëz në rrjetet sociale.