Një mbret ikën mbi kalë

Nga Dr. Marenglen Kasmi
Ministri gjerman në Tiranë, Eberhard von Pannwitz (1936-1941) ishte një diplomat karriere me përvojë dhe si i tillë, ai ishte një ndjekës shumë i mirë i situatës politike në Shqipërinë e fundviteve 1930. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij në Tiranë, von Pannwitz-i hartoi shumë raporte për Shqipërinë. Periudha e shërbimit të tij karakterizohet nga një intensitet i lartë veprimtarie diplomatike. Një numër i konsiderueshëm dokumentesh e raportesh zyrtare me firmën e tij gjenden sot në arkivat gjermane. Disa ditë pas pushtimit italian të Shqipërisë më 7 prill 1939, ai raportoi në Berlin edhe për këtë ngjarje.
Ky raport i detajuar, që mban datën 15 prill 1939, është i rëndësishëm jo vetëm për faktin se ministri gjerman analizon me statusin e dëshmitarit okular, por edhe sepse ky raport mund të konsiderohet si i paanshëm, meqenëse Gjermania në këtë periudhë nuk kishte interesa direkte ndaj Shqipërisë. Mosinteresimi i Gjermanisë ndaj Shqipërisë dhe së ardhmes së saj italiane pasqyrohet qartë në urdhëresat e shpeshta të Ministrisë së Jashtme gjermane për legatën e saj në Tiranë për të “mos u përzier në punët e italianëve, me qëllim shmangien e ndonjë keqkuptimi”. Një fakt tjetër përforcues është edhe se, në mëngjesin e 7 prillit, Berlini i dërgoi gjithë përfaqësive gjermane jashtë shtetit, përfshirë edhe atë në Tiranë, një njoftim ku përshëndetej pushtimi italian i Shqipërisë.
Ky raport gjendet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin (PA/AA R 103286) dhe nuk është publikuar më parë. Ai përbën një nga dy raportet e vetme të hartuara nga diplomatët e huaj në Tiranë për këtë ngjarje, që ne njohim deri tani. Raporti tjetër është hartuar nga ministri amerikan Hugh Grant dhe i është ofruar lexuesit vitin e shkuar nga gazetari Ilir Ikonomi.