Një tjetër pallat me 87 apartamente në Sarandë drejt përmbylljes së legalizimit

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës po vijon punën për finalizimin e procesit të legalizimit të një objekti shumëkatësh në Sarandë, duke avancuar me dokumentimin e pronësisë për banorët e tij.
Sipas ASHK-së, specialistët e Drejtorisë Vendore Sarandë po përmbyllin dokumentacionin për një objekt 9-katësh me një kat nëntokë dhe papafingo, i ndërtuar në vitin 2017. Objekti përbëhet nga 87 njësi banimi.
Deri më tani janë emetuar vendimet e legalizimit për 57 apartamente në emër të poseduesve përkatës, ndërsa procesi vijon për njësitë e tjera.
ASHK fton qytetarët që disponojnë kontrata, marrëveshje noteriale apo dokumente të tjera që lidhen me pronësinë e apartamenteve në këtë objekt, të paraqiten pranë Drejtorisë Vendore Sarandë për të vijuar procedurat e nevojshme dhe për t’u pajisur me vendimin e legalizimit.
Përmbyllja e këtyre proceseve u mundëson qytetarëve sigurimin e titujve të pronësisë dhe rritjen e sigurisë juridike për pasuritë e tyre.
/e.xh/r.e/ /a.g/