E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nju Jork- Spiropali takohet me Presidenten e PE, Roberta Metsola, dhe Zëvendëskryeministrin italian, Antonio Tajani

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka theksuar ambicien e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade. Kjo ambicie u shpreh në Nju Jork, gjatë një mëngjesi pune të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.

Në takim morën pjesë ministra të jashtëm nga vendet e rajonit dhe ato evropiane, të cilët mbështesin zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Sipas Ministres Spiropali, “miqtë evropianë rikonfirmuan mbështetjen ndaj ambicies sonë për anëtarësimin në BE brenda kësaj dekade.”

Takimi me Roberta Metsola

Gjatë këtij forumi, Spiropali pati gjithashtu një takim me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola. Kjo e fundit përgëzoi Shqipërinë për “rrugëtimin e saj mbresëlënës drejt integrimit evropian.”

Në fjalën e saj gjatë mëngjesit të punës, Spiropali theksoi përkushtimin e Shqipërisë ndaj agjendës së reformave, përfshirë forcimin e institucioneve demokratike, konsolidimin e sundimit të ligjit dhe ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme.

Përkushtimi dhe konsensusi shoqëror

Spiropali vuri në dukje se këto reforma gëzojnë një konsensus të gjerë shoqëror, i cili reflektohet në mbështetjen e lartë publike për anëtarësimin në BE, duke e cilësuar atë si “nivelin më të lartë të mbështetjes publike për anëtarësimin në BE në rajonin tonë.”

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me vlerat e përbashkëta, por edhe me një bindje të thellë se e ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian,” përfundoi Ministrja, duke theksuar se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj integrimit të plotë në bllokun evropian.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Politika

    Të gjitha ›