Nufi: 100 efektivë të FA në operacionet për shuarjen e zjarreve në Fier dhe Durrës

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi deklaroi sot se rreth 100 efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve në dy vatra të evidentuara mbrëmjen e djeshme, në Pojan, Parku Arkeologjik i Apolonisë (Fier) dhe në Gjirin e Lalëzit (Durrës).
Nufi tha se “në Gjirin e Lalëzit pranë zonës së Shën Pjetrit, krahas 68 efektivëve të FA-së, janë angazhuar edhe 15 automjete zjarrfikëse nga bashkitë Durrës, Shijak, Tiranë, Kamzë, Vorë, Kavajë dhe Elbasan. Pas angazhimit të efektivëve gjatë gjithë natës në këtë zonë, për ndërhyrjen në terrenin e vështirë kodrinor është angazhuar edhe një helikopter, që po vijon punën nga ajri”.
“Ekipet po punojnë intensivisht për izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e banorëve, banesave dhe pronave të zonës”, tha ai.
Ministri Nufi nënvizoi se në Pojan – Parku Arkeologjik i Apolonisë, efektivët e Forcave të Armatosura vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës, e cila tashmë është nën kontroll.
Dje, për shuarjen e flakëve u angazhua edhe helikopteri i Forcës Ajrore. Fatmirësisht nga flakët nuk është dëmtuar asnjë monument.
/e.i/j.p/r.e/