E Diel, 1 Nëntor 2026

Nufi: Droni Bayraktar TB2 monitoron në kohë reale vatrat e zjarrit

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Përdorimi i mjeteve ajrore pa pilot po luan një rol të rëndësishëm në operacionet e Forcave të Armatosura për përballimin e situatës së zjarreve në vend.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur sot se droni “Bayraktar” TB2 i Forcës Ajrore përdoret për monitorimin e situatës si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës.

Nufi ndau pamje nga fluturimi i dronit “Bayraktar” mbi vatrat e zjarreve teksa shtoi se, droni transmeton në kohë reale informacion mbi vendndodhjen dhe përhapjen e vatrave të zjarrit, si dhe mbi lëvizjen e helikopterëve të angazhuar në operacionet për shuarjen e flakëve.

“Droni ‘Bayraktar’ TB2 i Forcës Ajrore kryen misione monitorimi ditën dhe natën, duke transmetuar në kohë reale informacion mbi vatrat e zjarrit, përhapjen e flakëve dhe lëvizjen e helikopterëve të angazhuar në të gjithë zonat e operacioneve”, u shpreh Nufi.

“Të dhënat e siguruara nga ajri mbështesin drejtimin dhe koordinimin e forcave në terren, si dhe reagimin e shpejtë të strukturave përgjegjëse”, theksoi ministri.

Përdorimi i teknologjisë ajrore pa pilot synon të përmirësojë monitorimin e zonave të prekura nga zjarret dhe të ndihmojë strukturat operacionale në marrjen e vendimeve në kohë, me fokus mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›