Nufi: Po ndërtojmë industrinë ushtarake shqiptare, synojmë kapacitete prodhuese sipas standardeve të NATO-s - ATSH -
TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi deklaroi se përmes shoqërisë shtetërore KAYO janë konkretizuar gjashtë bashkëpunime tregtare dhe ka nisur montimi në Shqipëri i mjeteve të fortifikuara.
Në një intervistë për gazetarin Albatros Rexhaj, në emisionin Hard Talk në platformën mediatike “Radar”, Nufi foli për zhvillimet në industrinë ushtarake, investimet në kapacitetet mbrojtëse dhe angazhimin e Shqipërisë për sigurinë e Kosovës.
“Me hyrjen në fuqi të ligjit 87 dhe 88, pra janë dy ligje, njëri për industrinë ushtarake, tjetri për shoqërinë KAYO, në 2024-ën kemi marrë hapat e parë për të krijuar shtratin jo vetëm ligjor, por edhe shtratin faktik industrial infrastrukturor për prodhimin në Republikën e Shqipërisë. Kemi gjashtë bashkëpunime tregtare përmes shoqërisë KAYO”, deklaroi Nufi.
Ai sqaroi se Shqipëria nuk ka nisur ende prodhimin e fishekëve, por ka porositur linjat përkatëse të prodhimit gjatë vitit 2025.
Sipas Nufit, zhvillimi i industrisë duhet të mbështetet në standardet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, në mënyrë që pajisjet dhe armatimet e prodhuara të jenë të përdorshme në bashkëpunim me vendet aleate.
“Por themeli është të prodhosh armë që janë të ndërveprueshme, pra përputhen në bashkëpunim me NATO-n. Pa këtë nuk ka kuptim asnjë prodhim”, theksoi Nufi.
Ministri Nufi argumentoi se krijimi i kapaciteteve vendase do të ndihmojë edhe në shmangien e vonesave që shoqërojnë furnizimet dhe riparimet e pajisjeve ushtarake nga jashtë.
“Sot në NATO, për të zëvendësuar materialet e dërguara në Ukrainë, për shkak të procedurave na duhen 18 deri në 20 muaj, ndërsa bllokut lindor i duhen 3–4 muaj. Nëse neve na prishet një mjet, me impiantin tonë e riparon në kohë reale dhe nuk pret tetë muaj procedura apo bllokime në doganë”, u shpreh ai.
I pyetur se sa është e përkushtuar Shqipëria në terma praktikë ndaj mbrojtjes së Kosovës, Nufi tha se “Kosova është republikë e konsoliduar, me institucione dhe njohje ndërkombëtare, e mbështetur nga SHBA dhe Evropa”.
Ministri përmendi edhe angazhimin konkret të Shqipërisë në mbështetje të sigurisë së Kosovës, duke iu referuar dërgimit të helikopterit shqiptar në misionin e KFOR.
“Ne sapo kemi çuar një helikopter në Kosovë, që është një gjest konkret”, deklaroi ministri Nufi.
Duke folur për sigurinë rajonale, ministri vlerësoi rolin e NATO-s dhe të pranisë së KFOR-it në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e pozicionimit strategjik të Shqipërisë dhe bashkëpunimit me aleatët.
Ministri i Mbrojtjes theksoi se siguria kombëtare duhet të jetë një çështje që bashkon të gjitha forcat politike, përtej ndarjeve partiake.
“Siguria kombëtare duhet të jetë bipartizane. Armiku nuk të pyet cilës parti i përket”, deklaroi ministri Nufi.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
“SHBA-të janë aleati kryesor brenda aleancës së NATO-s dhe fuqia më e madhe ushtarake në botë. Në tryezën e ministrave të mbrojtjes të NATO-s ku ulem unë, nuk ka qëndrime të ndryshme sa i përket sigurisë dhe kjo u provua edhe së fundmi në Ankara”, u shpreh ministri.
/e.i/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
