E Diel, 1 Nëntor 2026

Muzeu Historik "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" i Krujës, 44 vjet nga inaugurimi - ATSH -

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Sot mbushen 44 vjet nga inaugurimi i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Muzeu është ndërtuar në kalanë e famshme të Krujës, kryeqendra e Shtetit të Arbërit dhe personifikim i disfatës së ushtrive turke, për tri herë rresht, në shek. XV.

Muzeu është konceptuar si memorial, ku arkitektura sinkronizohet me historinë dhe artet mesjetare.

Për përmbajtjen e tij, bashkë me arkitektët punuan një grup historianësh të udhëhequr nga Kristo Frashëri dhe një grup piktorësh të udhëhequr nga Bashkim Ahmeti. Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë.

Muzeu numëron disa pavijone, të tilla si pavijoni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavijoni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kanceleria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinokotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës.

Në muze tregohet në mënyrë kronologjike dinamika e jetës së principateve shqiptare, nëpërmjet objekteve prej qeramike, bronzi, hekuri e bakri, ikonave origjinale, shpatave të kohës, deri edhe një këmbanë të vitit 1462.

Afresket e lakuara në muret e muzeut janë frymëzuar nga arti bizantin. Aty shfaqen portretizime romantike që nga rikthimi i Skënderbeut në Krujë, deri te glorifikimi i bashkimit të principatave.

Muzeu i Skënderbeut është i pajisur me guidë në gjuhët shqip dhe anglisht duke i dhënë një impuls domethënës njohjes së heroit të shqiptarëve, figura e të cilit është bërë pjesë e bibliografive të njohura në botë dhe ka frymëzuar artistët shqiptarë.

Muzeu Historik “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” e rikujton sot këtë datë lindjeje me një kronikë të kohës.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›