Nufi: S’ka ndryshim në planet e KFOR-it për Kosovën

PRISHTINË, 17 prill /ATSH/ Nuk ka asnjë ndryshim të planeve të sigurisë së KFOR-it në Kosovë, ka deklaruar ministri i mbrojtjes, Ermal Nufi. Një gjë e tillë, ai tha se i është konfirmuar në takimet që ka pasur në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte por edhe me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Giuseppe Vaco Dragone.
Në këto takime, ai shtoi se ka ngritur shqetësimin për nivelin e sigurisë në Kosovë por edhe rajon.
Këto deklarime ai i bëri pas vizitës dhe takimit me homologun e tij nga Kosova, Ejup Maqedonci.
Pas takimit, ministri Maqedonci tha se kanë diskutuar për ndërtimin e kapaciteteve ushtarake dhe bashkëpunimit në aspektin e mbrojtjes me Shqipërinë.
Ai ka folur se cili mund të jetë bashkëpunimi me Shqipërinë sa i përket fushës së industrisë ushtarake.
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi tha se “Republika e Shqipërisë qëndron krah për krah me Kosovën”. Ai tha se bashkëpunimi me Kosovën është thelbësor për rritjen e kapaciteteve dhe garantimin e sigurisë së të dyja vendeve.
Po ashtu, foli edhe për nivelin e sigurisë në Kosovë, për çka tha se një gjë e tillë i është garantuar në takimet që ka pasur në Bruksel.
Kosova dhe Shqipëria do të dërgojnë trupat e tyre në Gaza, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese të paraparë me themelimin e Bordit të Paqes, të presidentit amerikan, Donald Trump.
Ministri Nufi tha se ende nuk është përcaktuar numri i trupave që do të dërgohen në Gaza.
Me ceremoni ushtarake e ka pritur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci homologun e tij shqiptar, Ermal Nufi.
Pas pritjes ata kanë zhvilluar një takim në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes.
/Kosovapress/