Berisha: Porti i Durrësit, shembull i tjetërsimit të pasurive publike

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal sot te çështja e Portit të Durrësit, të cilën e cilësoi si një nga pasuritë më të mëdha publike të vendit.
Berisha, gjatë një konference për mediet me gazetarët, u shpreh se “projekti për transformimin e portit përfaqëson një tjetër shembull të keqmenaxhimit dhe tjetërsimit të pasurive publike, duke pretenduar se përfitimet janë të mëdha për një grup të vogël, ndërsa qytetarët përballen me kosto të larta”.
Berisha përmendi edhe ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, duke ngritur shqetësime për përmasat dhe kostot e këtij investimi.
Në deklaratën e tij, Berisha theksoi se kjo çështje duhet të shërbejë si motiv për reagim qytetar, duke e lidhur atë me mbrojtjen e interesit publik dhe të ardhmen ekonomike të vendit.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestë, duke e paraqitur atë si një reagim të domosdoshëm ndaj situatës politike dhe ekonomike në vend, si dhe si një mjet për të kërkuar ndryshim.
“Duhet të ngrihemi kundër atyre që bëjnë gjithçka t’u dekurajojnë. Sot shqiptarët kanë fjalën e tyre, sot është dita e tyre. Kryengritja jonë paqësore nuk ndalon gjer në përmbushjen e misionit tonë të plotë, përmbysjen e narkoregjimit”, përfundoi Berisha.
/e.i/a.f/