E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk denoncuan ndërtimin e paligjshëm, Prokuroria e Tiranës pezullon nga detyra 2 inspektorë dhe përgjegjësin e tyre në IMT

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, janë pezulluar nga ushtrimi i detyrës tre inspektorë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Bëhet fjalë për shtetasit E.M. dhe Sh.G., me detyrë inspektorë terreni, si dhe V.Sh., përgjegjës sektori pranë IMT-së.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimet në kuadër të procedimit penal nr. 777, të vitit 2025, kanë provuar se në rrugën “Valentina Pistoli”, në zonën e Selitës në Tiranë, po kryheshin punime ndërtimi të dyshuara pa leje nga shtetasi D.G.

Nga verifikimet ka rezultuar se ndërtimi i paligjshëm ka nisur më 1 nëntor 2021 dhe ka përfunduar më 19 prill 2025. Ndërkohë, më 2 prill 2025 është ushtruar kontroll nga punonjësit e IMT-së.

Sipas Prokurorisë, inspektorët përgjegjës për zonën nuk kanë pasqyruar faktin se bëhej fjalë për një ndërtim të paligjshëm dhe nuk kanë informuar Kryeinspektorin për marrjen e masave administrative përkatëse, si vendosja e gjobës, marrja e vendimit për prishje të objektit dhe depozitimi i kallëzimit penal.

Në këto rrethana, organi i akuzës vlerësoi se janë konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Për tre zyrtarët është caktuar masa e sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, në bazë të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›