Prokuroria Speciale kërkon 180 vjet burg për ish krerët e UÇK-së, Balla: Shqipëria krah Kosovës, nuk e pranojmë një baltë të tillë

Aktakuzë të turpshme e ka cilësuar Taulant Balla vendimin e Prokurorisë Speciale, e cila ka kërkuar 180 vite burg për ish krerët e UÇK-së. Në emër të grupit parlamentar të PS, Balla u shpreh se Shqipëria nuk mund ta pranojë një baltë të tillë dhe do të qëndrojë krah Kosovës.
Ai kërkoi nga kreu i Kuvendit Niko Peleshi që të hedh në votim hartimin e një deklarate, e cila do të përgatitet nga dy deputetët, Igli Hasani dhe Shehu, kërkesë kjo që u miratua me votat e socialistëve.
“Për procedurë, sot jemi në një seancë, pak ditë nga një akt akuzë e turpshme. Ditën e hënë jemi njohur me akt akuzën e 4 udhëheqësve të UÇK. 180 vjet burg janë kërkuar ndaj udhëheqësve të UÇK, por që për asnjërin për personat e ushtrisë serbe nuk është marrë një masë e tillë. Kuvendi të ndërpresë punimet.
Të ngarkojmë zotin Hasani dhe zotin Shehu e të përgatisin deklaratë që të gëzojë mbështetjen e të gjitha palëve për tiu bërë të qartë Hagës që Shqipëria nuk e pranon një baltë të tillë. Kjo deklaratë duhet të miratohet menjëherë. Dhe t’i që i ke shërbyer një jetë Serbisë (drejtuar Berishës), liroje atë foltore se le nam”, tha Balla.
Kësaj kërkese të Ballës, Beriusha iu përgjigj për mediat: “Përdorimi i ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësve politik të Kosovës, nga një kriminel ordiner si mburojë, është një akt i shëmtuar. Unë kam shprehur pikëpamjet e mia lidhur me atë proces, por edhe njëherë kjo tregon se, sa të ulët janë këta dhe çfarë janë në gjendje të bëjnë për të mbrojtur vjedhjet e tyre. Nëse do të ishte serioze kjo, nuk ngrihej kjo atëherë kur deputetët e opozitës kërkonin mandatin e Lubi Ballukut. Kjo u ngrit vetëm e vetëm si një mënyrë për të tejkaluar çështjen e mandateve“./vizionplus.tv