“Nuk flasim më për para, por për pasuri”/ Dosja belge për mafien shqiptare: Rrjetet nga Vlora në Antwerp

Nga VRT
Një i dyshuar me shtetësi shqiptare, i vendosur në Belgjikë, ishte nën përgjim. Kur nuk fliste për aktivitetet e tij të trafikut me kode, ai mburrej në telefon me bashkëbiseduesit e tij. Dhe nuk shqetësohej aspak nga mundësia për të kaluar kohë në burg.
“Që tani e tutje nuk do të flasim më për para, por për pasuri (…). Kemi arritur në pikën kur të gjithë kemi arritur një nivel të caktuar, kemi shtëpi dhe toka, dhe tani do të fillojmë vërtet. (…) Çfarëdo që të ndodhë, do të qëndroj katër muaj në burg, le të shkojnë të gjithë në djall”.
Ky përgjim gjyqësor është pjesë e një hetimi të gjerë të zhvilluar nga Policia Gjyqësore Federale e Louvain-it, i cili në shkurt 2019 çoi në një seri kontrollesh ndaj një organizate belge-shqiptare aktive në kultivimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Aktiviteti kryesor ishte kultivimi i plantacioneve të mëdha të kanabisit. Në total u zbuluan pesë plantacione, përfshirë një me 1.000 bimë në një klub striptizi në rrugën Aerschot në Bruksel. Në janar 2020, Gjykata Penale e Louvain-it dënoi 12 të pandehurit (tetë prej tyre shqiptarë) me dënime nga 18 muaj deri në gjashtë vjet burg.
“Rrjete komplekse dhe të sofistikuara”
Ky vendim është vetëm një nga rreth njëzet verdiktet dhe dokumentet gjyqësore, në disa raste konfidenciale dhe me mijëra faqe, që gazeta Le Soir ka mbledhur dhe analizuar gjatë një hetimi disamujor mbi organizatat kriminale shqipfolëse aktive në Belgjikë, në bashkëpunim me kolegët e Knack dhe RTBF.
Për këtë hetim janë intervistuar rreth dymbëdhjetë ekspertë të kriminalitetit të organizuar: magjistratë, hetues, diplomatë, specialistë të pastrimit të parave, statistikanë etj.
Të gjithë përshkruajnë një kriminalitet të organizuar diskret, por destabilizues. Një kriminalitet shumëformësh, por që është shndërruar veçanërisht në një hallkë thelbësore të trafikut ndërkombëtar të kokainës. I dhunshëm, por që zakonisht i zgjidh konfliktet brenda rrethit të vet kriminal dhe mes rivalëve të nivelit të lartë.
“Organizatat kriminale shqipfolëse janë aktive në të gjithë vendin dhe kanë depërtuar edhe në ekonominë e ligjshme”, deklaron An Berger, zëdhënëse e Policisë Federale.
Fenomeni monitorohet nga njësia e specializuar “Ballkani”, pjesë e Drejtorisë Qendrore për Luftën kundër Kriminalitetit të Rëndë dhe të Organizuar (DJSOC).
Ajo shton se “analizat tona më të fundit tregojnë se organizatat kriminale shqipfolëse po fitojnë gjithnjë e më shumë ndikim dhe fuqi. Ato po strukturohen gjithnjë e më shumë dhe po koordinojnë aktivitetet e tyre brenda rrjeteve komplekse dhe të sofistikuara, veçanërisht në trafikun ndërkombëtar të kokainës, si dhe në prodhimin dhe tregtinë e kanabisit.”
François Farcy, drejtor gjyqësor i Policisë Federale në Liège, konsiderohet si një nga specialistët më të mëdhenj belgë të këtij fenomeni.
“Grupet kriminale shqiptare janë vendosur në mënyrë të qëndrueshme kudo dhe janë bërë më të fuqishme. Tashmë ato përbëjnë një kërcënim ndërkombëtar, veçanërisht në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Kjo është e pakontestueshme. Ndikimi i tyre është rritur gjithashtu. Sot ata janë në të njëjtin nivel me ’Ndrangheta-n ose kartelet meksikane. Shqiptarët negociojnë si të barabartë. Nuk janë më ushtarët e vegjël të dikujt tjetër”, deklaron komisari.