Nuk ka konstituim të Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 26 gusht /ATSH/ Është ndërprerë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, për të vazhduar të enjten në orën 11:00.
Deputetët, në seancën e sotme përkundër zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve nga tri partitë e mëdha shqiptare, si dhe atë nga komunitetet jo serbe, dështuan ta zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb.
Pas disa dështimeve të njëpasnjëshme për zgjedhjen e nënkryetarit nga deputetët e Listës Serbe, përmes shortit dështoi të zgjidhet nënkryetar edhe deputeti tjetër nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, i cili është kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, parti tjetër nga Lista Serbe.
Rashiq mori vetëm 55 vota pro, një deputet ishte kundër, kurse shtatëmbëdhjetë deputetë abstenuan. Ndërkaq, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim në momentin e votimit të nënkryetarit nga komuniteti serb.
Kështu, Kuvendi i Kosovës konsiderohet i pakonstituuar, pasi bazuar në Kushtetutë dhe në Rregullore të parlamentit, Kuvendi konstituohet me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Sot, gjatë ditës, me 73 vota për është zgjedhur për kryetar të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala janë zgjedhur nënkryetarë me 101 vota pro, asnjë kundër dhe nëntë abstenime.
/KosovaPress/