E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka ujë për ftohjen e impiantit/ Rumania mbyll centralin bërthamor pas rënies së nivelit të Danubit në pikën më të ulët

Rumania ka nisur mbylljen e plotë të centralit të saj të vetëm bërthamor, pasi niveli i ujit në lumin Danub, i përdorur për ftohjen e impiantit, ka rënë në një nivel rekord.

Kompania kombëtare e energjisë bërthamore, Nuclearelectrica, bëri të ditur se reaktori i dytë i centralit të Cernavodës është ndalur për shkak të rënies së vazhdueshme dhe të konsiderueshme të nivelit të Danubit.

Reaktori i parë ishte nxjerrë jashtë funksionit që muajin e kaluar, ndërsa centrali zakonisht prodhon rreth një të pestën e energjisë elektrike të Rumanisë.

Sipas kompanisë, vendimi për ndalimin e reaktorit të dytë u mor pavarësisht masave të ndërmarra për të shmangur mbylljen e plotë të centralit.

Autoritetet kishin ndërhyrë në rrjedhën e lumit, duke shpërthyer një masiv shkëmbor dhe duke vendosur katër maune të mbushura me gurë, me synim devijimin e një pjese të ujit drejt zonës së centralit.

Megjithatë, rënia e mëtejshme e nivelit të Danubit ka bërë që masat të mos jenë të mjaftueshme për të garantuar funksionimin normal të sistemit të ftohjes.

Mbyllja e centralit të Cernavodës vjen në një periudhë kur temperaturat e larta dhe thatësira kanë shkaktuar rënie të ndjeshme të nivelit të ujit në Danub, duke krijuar probleme edhe për sektorë të tjerë që varen nga lumi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›