“Nuk kam votuar për shkarkimin e Spiropalit”, Berisha thirrje për protestën më 12 mars: Objektivi, largimi i qeverisë Rama

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ftuar shqiptarët të marrin pjesë në protestën e radhës që pritet të mbahet më 12 mars. Berisha nënvizoi se objektivi kryesor i protestës është largimi i qeverisë Rama.
“Më 12 mars Shqipëria vjen këtu për dorëheqjen e Edi Ramës. Protesta është për dorëheqjen e kryeministrit. Çdo protestë do të ketë të njëjtin objektiv, largimin e tij. Ora do të caktohet, por ftoj të gjithë shqiptarët për largim, sepse është stina e përmbysjes së diktaturës dhe diktatorëve”, tha Berisha.
Lidhur me votimin kundër për shkarkimin e ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë seancës në Kuvend, Berisha theksoi se nuk ka votuar fare, madje sipas tij as deputetja Jozefina Topalli nuk e ka bërë.
Sipas tij, bëhet fjalë për një mashtrim të paskrupullt nga ana e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
“Nuk kam votuar fare, se çfarë kam bërë sistemi nuk di gjë. Nuk ka votuar as Topalli, nuk e ka bërë gabim, ajo nuk ka qenë fare aty, ka qenë mekanizëm i Niko Peleshit. Unë kam qenë në platformë duke kërkuar fjalën, nuk kam votuar fare”, tha kryetari i PD-së.
Më herët, deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, sqaroi votën kundër për shkarkimin e ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë seancës në Kuvend duke thënë se kishte shtypur gabimisht dy butonat në sistem, me idenë se po kërkonte fjalën, por veprimi rezultoi në një votë kundër shkarkimit, si për veten e saj ashtu edhe për Sali Berishën.
/rtsh.al/