E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk po i ofroj asgjë Iranit”, Trump: S’kam komunikuar me Teheranin qëkur i shkatërruam programin bërthamor

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se nuk po zhvillon diskutime me udhëheqësit iranianë dhe nuk do t’u ofrojë atyre asgjë.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi se ai “nuk po i ofron Iranit asgjë… dhe as nuk po flas me ta qëkur ia shkatërruam plotësisht centralet e tyre bërthamore”.

Duket se Trumpi po i përgjigjej komenteve të senatorit demokrat, Chris Coons, i cili kishte vënë në dyshim deklaratat e mëparshme të Presidentit, ku ky i fundit kishte thënë se Kina mund të rifillonte blerjen e naftës nga Irani pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja midis Izraelit dhe Iranit, më 24 qershor.

“Ose Presidenti Trump nuk e di që administrata e tij ka vendosur sanksione shkatërruese mbi naftën iraniane, ose nuk i intereson nëse kundërshtarët tanë i shkelin këto sanksione. Nuk e di cila nga të dyja është më shqetësuese”, shkroi Coons në X.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqaei, e akuzoi të hënën administratën Trump për ndryshim të vazhdueshëm të qëndrimeve.

“Këto ndryshime të vazhdueshme dhe sinjalet e përziera, që janë kthyer në një model të rregullt të sjelljes amerikane gjatë tre apo katër muajve të fundit, nuk janë diçka mbi të cilën mund të mbështetemi”, tha ai gjatë konferencës së tij javore për shtyp.

Shkalla e dëmeve në programin bërthamor të Iranit gjatë luftës 12-ditore me Izraelin mbetet e paqartë.

Irani thotë se objektet e tij bërthamore kanë pësuar dëme të mëdha, por është zotuar se do ta vazhdojë programin e vet, të cilin e cilëson si paqësor.

Rafael Grossi, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), tha javën e kaluar se Irani mund ta rifillojë pasurimin e uraniumit “brenda disa muajsh”.

“Thënë sinqerisht, nuk mund të thuhet se gjithçka është zhdukur dhe se nuk ka mbetur asgjë”, tha ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›