E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk raportuan ndërtimin e paligjshëm në Selitë, Prokuroria e Tiranës pezullon dy inspektorë dhe përgjegjësin e IMT

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Prokuroria e Tiranës njoftoi sot pezullimin nga detyra të dy inspektorëve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe përgjegjësin e tyre, pasi nuk kanë denoncuar ndërtimet pa leje që kryheshin në rrugën “Valentina Pistoli”, në zonën e Selitës.

E.M., Sh.G dhe V.Sh., inspektorë terreni dhe përgjegjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) janë të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës kryer në bashkëpunim”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, këta persona nuk pasqyruan faktin që bëhej fjalë për një ndërtim të paligjshëm, dhe nuk e informuan Kryeinspektorin se duhej të vendosej gjobë, të merrej vendim për prishje të këtij ndërtimi dhe më pas të depozitohej kallëzim penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 777, të vitit 2025, rezultoi e provuar se në rrugën “Valentina Pistoli”, në Selitë (Tiranë), po kryheshin punime të dyshuara pa leje, nga shtetasi D.G.

Nga hetimet rezultoi se ndërtimi i paligjshëm ka filluar të kryhet nga data 01.11.2021 dhe ka përfunduar në datë 19.04.2025, kur ndërkohë në datë 02.04.2025, u ushtrua kontroll nga punonjësit e IMT-së duke konsumuar në këtë mënyrë elementet e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›