OKB – Guterres: Bisedimet për Qipron e ndarë do të vazhdojnë

NJU JORK/NIKOZIA, 18 korrik /ATSH-DPA/ – Përfaqësuesit e qipriotëve grekë dhe turq kanë zhvilluar bisedime të reja në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork mbi të ardhmen e ishullit të ndarë në Mesdhe.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha sot se ”ndërsa nuk u arritën rezultate konkrete për t’i dhënë fund ndarjes së ishullit, u ra dakord për disa masa për ndërtimin e besimit”.
“Jam i lumtur”, tha Guterres.
“Sigurisht, do të doja shumë më tepër, por kjo është një çështje komplekse, por mendoj se kemi bërë përparime”, theksoi ai.
Transmetuesi qipriot RIK raportoi se bisedime të mëtejshme do të zhvillohen më vonë këtë vit.
Guterres tha se ishte rënë dakord që të krijoheshin katër kalime shtesë midis dy pjesëve të ishullit dhe se do të ndërtoheshin termocentrale në zonën tampon midis tyre.
Bisedimet po zhvillohen në një mjedis joformal, së bashku me përfaqësuesit e fuqive garantuese si Britania e Madhe, Greqia dhe Turqia.
Qëllimi është që negociatat konkrete të rikthehen në rrugën e duhur për të kapërcyer ndarjen./ /Ad.Ab/