E Hënë, 2 Nëntor 2026

OKB – Rusia dënohet për inkursionet e avionëve mbi Estoni në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit

NJU JORK, 22 shtator /ATSH/ – Estonia dhe aleatët e saj lëshuan një kritikë të ashpër ndaj Rusisë për fluturimin e avionëve luftarakë nëpër hapësirën e saj ajrore javën e kaluar, duke e kritikuar sot Moskën, në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe duke e akuzuar atë për sjellje “të pamatur” dhe “të egër”, sipas CNN.

Estonia kërkoi takimin urgjent, pasi tre avionë luftarakë rusë ”MiG-31” hynë të premten pa leje në hapësirën e saj ajrore mbi Gjirin e Finlandës.

Duke folur në seancë, ministri i Punëve të Jashtme i Estonisë, Margus Tsahkna, tha se “bashkësia ndërkombëtare duhet të qëndrojë e vendosur në kërkimin e fundit të këtyre shkeljeve të hapura të Kartës së OKB-së në mënyrë që të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm”.

Ai shtoi se ”kërcënimet dhe provokimet e Rusisë nuk do ta dobësojnë vendosmërinë tonë për të mbështetur Ukrainën”.

Kaja Kallas, diplomatja më e lartë e Bashkimit Evropian dhe ish-kryeministrja e Estonisë, tha se beson që incidenti ishte një ”provokim i qëllimshëm”.

”Rusia po teston kufijtë evropianë dhe po minon sigurinë”, tha ajo.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara e përdorën takimin për të paralajmëruar Rusinë se NATO, anëtare e së cilës është Estonia, është gati të mbrojë qiellin e saj.

Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, tha se Moska po rrezikonte ”një përballje të drejtpërdrejtë të armatosur midis NATO-s dhe Rusisë”.

”Aleanca jonë është mbrojtëse, por mos kini asnjë iluzion… nëse na duhet të përballemi me aeroplanë që operojnë në hapësirën ajrore të NATO-s pa leje, atëherë do ta bëjmë këtë”, tha ajo.

Dhe në atë që ishte paraqitja e tij e parë si ambasadori i ri i SHBA-së në OKB, Michael Waltz i tha Këshillit të Sigurimit se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj ”do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s”.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt delegacionit rus, zëvendëskryeministri polak, Radoslaw Sikorski tha se “ne e dimë që ju nuk interesoheni për të drejtën ndërkombëtare dhe jeni të paaftë të jetoni në paqe me fqinjët tuaj”.

“Nacionalizmi juaj i çmendur përmban një epsh për dominim që nuk do të pushojë derisa të kuptoni se epoka e perandorive ka mbaruar dhe se perandoria juaj nuk do të rindërtohet”, theksoi ai./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›