E Diel, 1 Nëntor 2026

OSHEE prezanton skemat e reja lehtësuese për pagesat me këste të faturave të prapambetura të energjisë, si falen kamatëvonesave deri në 100%

Për të gjithë qytetarët dhe bizneset që kanë akumuluar borxhe ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE Group, ka njoftuar nisjen e zbatimit të disa skemave të reja lehtësuese. Këto marrëveshje synojnë shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura të krijuara deri më 31 dhjetor 2024, duke ofruar afate të gjata shtrirjeje dhe ulje drastike të kamatëvonesave.

Skema e re është e ndarë në fasha të ndryshme, duke pasur në fokus të veçantë mbrojtjen e shtresave vunerabël, por duke ofruar zgjidhje edhe për bizneset dhe institucionet.

Lehtësirat për familjet dhe shtresat në nevojë

Për abonentët familjarë, OSHEE ka vendosur një afat maksimal mjaft të gjerë për shlyerjen e borxheve, i cili mund të shkojë deri në 240 muaj (20 vjet). Pagesat mujore janë të ndara sipas statusit social të klientit.

Kategoritë e veçanta

Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë do të mund të lidhin aktmarrëveshje me një këst minimal që nis nga 1,200 lekë në muaj.

Për klientët e zakonshëm familjarë, kësti fiks mujor nis nga 2,800 lekë.

Në të dyja rastet, kushti kryesor për të përfituar është që abonentët të mos krijojnë borxhe të reja të pashlyera për periudhën korrente 2025–2026. Sigurisht, çdo klient ka të drejtë të zgjedhë vullnetarisht një këst më të lartë nëse dëshiron ta mbyllë detyrimin më shpejt.

Kushtet për bizneset dhe institucionet

Për subjektet jofamiljare (kategoritë buxhetore dhe jobuxhetore), OSHEE ka përcaktuar një skemë ku numri i kësteve varet drejtpërdrejt nga vlera totale e borxhit të akumuluar deri në fund të vitit 2024.

24 këste për detyrime nga 100,000 deri në 500,000 lekë.

48 këste për detyrime nga 500,001 deri në 1,000,000 lekë.

60 këste për detyrime nga 1,000,001 deri në 5,000,000 lekë.

84 këste për detyrime nga 5,000,001 deri në 10,000,000 lekë.

120 këste për detyrime që e kalojnë vlerën e 10 milionë lekëve.

Falja e kamatëvonesave deri në 100%

Për ata abonentë që kanë mundësi likuiditeti dhe zgjedhin ta paguajnë të gjithë borxhin e prapambetur menjëherë (me një këst të vetëm), OSHEE aplikon reduktim të kamatëvonesave. Nga kjo skemë, biznesi i vogël përfiton falje të plotë (100%) të kamatëvonesës. Për klientët familjarë reduktimi është në masën 70%, ndërsa për institucionet dhe bizneset e tjera falet 50% e kamatës.

Një trajtim i veçantë me deri në 24 këste është miratuar edhe për rastet specifike si faturat korrektive, ato përmbledhëse apo faturimet nga testimet dhe demontimet e matësve.

Si mund të aplikohet?

OSHEE sqaron se rregulli bazë për t’u bërë pjesë e këtyre skemave është që abonenti duhet të ketë paguar rregullisht faturat e energjisë të vitit 2025 përpara se të nënshkruajë marrëveshjen për borxhet e vjetra. Pas firmosjes së kontratës së re, qytetarët dhe bizneset kanë një afat prej 7 ditësh kalendarike për të paguar këstin e parë, për të vijuar më pas me pagesat mujore të rregullta.

KUSHTET BAZË PËR APLIKIM

Periudha e borxhit- Fatura të prapambetura deri më 31 Dhjetor 2024.

Kushti i panegociueshëm- Të jenë paguar të gjitha faturat e vitit 2025 e në vijim.

Afati i pagesës së parë: Kësti i parë paguhet brenda 7 ditëve nga firmosja e marrëveshjes.

SKEMA PËR FAMILJET (deri në 240 këste)

Kategoritë në nevojë (Ndihmë ekonomike, pensionistë kryefamiljarë, statuse të veçanta)

Kësti minimal- 1,200 Lekë/muaj

Familjet e tjera

Kësti minimal- 2,800 Lekë/muaj

ZBRITJET E KAMATËVONESAVE (Nëse paguani me 1 këst)

Nëse keni mundësi ta mbyllni të gjithë borxhin e vjetër menjëherë, OSHEE ofron këto reduktime të kamatëvonesës.

Biznesi i Vogël- Falje 100% (Paguani vetëm detyrimin bazë).

Klientët familjarë- Zbritje 70% e kamatëvonesës.

Klientët jofamiljarë- Zbritje 50% e kamatëvonesës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›