E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSSH garanton energjinë gjatë sezonit turisti, mbi 1000 punonjës dhe investime në rrjet

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka hartuar një plan të posaçëm masash për të garantuar furnizim të pandërprerë me energji elektrike gjatë sezonit turistik. Koordinatori i OSSH-së, Llambi Miti, bëri të ditur se rritja e kërkesës për konsum në zonat bregdetare është menaxhuar me efikasitet dhe se monitorimi i rrjetit vijon në mënyrë të pandërprerë.

“Që në Mars që mbaron sezoni i dimrit, ne nxjerrim konkluzione dhe shikojmë cilat janë nyjet kritike që kanë nevojë për ndërhyrje. Në muajt mars, prill, maj kryen të gjitha remontet e nën stacioneve të linjave që ju shërbejnë zonave turistike, të kuptohemi jo vetëm bregdetare, por edhe malore dhe jo vetëm”, tha MIti.

Sipas tij, për përballimin e fluksit veror janë angazhuar 1030 punonjës, të organizuar në 130 grupe pune, si dhe 86 automjete operacionale, të gatshme për ndërhyrje në çdo moment.

“Këtë vit kemi vënë në efiçencë dhe në punë një nënstacion të ri me dy transformatorë me fuqi të instaluar 40 megavat me pesë fidra dalës 20 kV. Në Shëngjin vjet u vendos një transformator 110 me tre fidra, ndërsa këtë vit për shkak të rritjes së ngarkesës kemi shtuar dhe një fider tjetër. Po kështu kemi në zonën e Durrësit, në zonën e Golimit”, theksoi ai.

Ndërhyrjet janë përqendruar në zonat turistike me ngarkesën më të lartë, nga Velipoja deri në Ksamil, si edhe në Pogradec. OSSH thekson se të gjitha masat synojnë të garantojnë furnizim cilësor dhe të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët, bizneset dhe turistët gjatë gjithë sezonit veror.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›