Oboti vijon nën ujë nga moti i keq, aksi Bogë-Theth i pastruar deri në Qafë Thore

TIRANË, 18 shkurt /ATSh/ Prefektura e Shkodrës, në një përditësim të situatës së krijuar për shkak të motit të keq, bën me dije se ditën e sotme situata e emergjencave civile paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim.
Sipas njoftimit, në territorin e bashkisë Shkodër, situata paraqitet e stabilizuar, duke shfaqur një tendencë të lehtë në ulje të nivelit të ujërave.
Prefektura Shkodër informon se në Obot vijon të ketë prezencë uji, kryesisht në sipërfaqe tokash bujqësore me tendencë rënie. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet nivel uji rreth 40–45 cm.
Prefektura e Shkodrës njofton se në mbështetje të situatës, në zonë janë vendosur në gatishmëri mjete të kalueshmërisë së lartë të cilët do të ndërhyjnë sipas nevojave. Deri në këto momente nuk raportohen banesa të rrethuara nga uji.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike. Niveli i liqenit është regjistruar në kuotën 7,9 m ndërsa niveli i lumit Drin është në kuotën 7,7 m, me tendencë rënieje krahasuar me orët e mëparshme.
Nuk raportohen problematika në funksionimin e kanaleve kulluese, argjinaturave mbrojtëse dhe digës së rezervuarit të Shtodrit.
Ndërsa, në aksin Bogë – Theth, reshjet kanë pushuar dhe rruga është pastruar dhe zgjeruar deri në zonën e Qafë Thore, pranë tunelit të parë. Mjetet dhe specialistët janë në gatishmëri për ndërhyrje në rast nevoje.
Në territorin e Bashkia Vau i Dejës, Bashkia Malësi e Madhe, Bashkia Pukë dhe Bashkia Fushë-Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Nuk raportohen problematika apo situata emergjente.
Prefektura e qarkut Shkodër, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, vijon të jetë në terren, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën.
/e.i/r.e/a.f/