Oficerët e sigurisë në shkolla, certifikohen 112 oficer për këtë vit shkollor

Prej 7 vitesh shkollat 9-vjeçare dhe të mesme janë pajisur me oficerë sigurie të trajnuar posaçërisht për zgjidhjen e situatave konfliktuale ndërmjet nxënësve.
Jerina Dane, para 3 vitesh vendosi të bëhej një oficere sigurie. Pas përfundimit me sukses të intervistës së punës dhe trajnimit 1-mujor në Akademinë e Sigurisë, iu besua pozicioni i punës si oficere në shkollën 9-vjeçare “Kongresi i Manastirit”. E veshur civile dhe e gatshme për të zgjidhur çdo situatë problematike, 35-vjeçaren e gjen kudo mes nxënësve, në oborr, korridor e klasa.
“Besoj se për ne ka qenë aq sa e vështirë, edhe e sikletshme sepse nuk e dinim si do reagonin fëmijët. Por shikoja edhe një lloj dashamirësie sikur e donin praninë tonë”, u shpreh Dane.
Çdo ditë përpiqet të mbledhë informacion për situata të ndryshme që mund të ndodhin në shkollë, si dhe për të evidentuar nxënësit që përfshihen në konflikt.
“Mundohemi që fëmijët t’i monitorojmë gjatë gjithë kohës, t’i vëzhgojmë. Arrimë t’i kuptojmë edhe me sy që ata kanë një shqetësim”, thekson ajo.
Rastet kur gjykohet i nevojshëm ndërhyrja e oficerit të sigurisë janë ngacmimet nëpërmjet rrjeteve sociale apo edhe bullizmi ndërmjet nxënësve.
“Zakonisht ndodh që nxënësit me njëri-tjetrin krijojnë grupe brenda klasës dhe aty më pas nisin shaka, deri në momentin që fëmija nuk pranon më shaka. Fëmijët kalojnë deri në një komunikim jo etik me njëri-tjetrin, deri sa ndërhyn prindi në shtëpi që vihet në dijeni nëse konflikti ka ndodhur online nëpër grupe”, tregon Dane.
Oficerët e sigurisë janë emëruar në shkollat me një numër të madh nxënësish. Vetëm për këtë vit janë certifikuar 112 oficerë sigurie, me qëllim që vitin e ardhshëm shkollor të integrohen në sistemin arsimor 400 oficerë sigurie.
/rtsh.al/