”OliveOilTimes”: Një prodhues shqiptar sheh potencial global te varietetet autoktone të ullirit

TIRANË, 28 maj /ATSH/ – Vaji shqiptar i ullirit po fiton gjithnjë e më shumë vlerësim në arenën ndërkombëtare, ndërsa prodhuesit vendas po tërheqin vëmendjen me cilësinë dhe identitetin unik të produkteve të tyre, shkruan Paolo DeAndreis për portalin ndërkombëtar të informacionit, i specializuar për vajin e ullirit, i themeluar rreth viteve 2009–2010 nga Curtis Cord dhe që konsiderohet një nga burimet më të njohura në industrinë e vajit të ullirit në botë.
Një tjetër dëshmi e këtij suksesi erdhi në konkursin prestigjioz NYIOOC “World Olive Oil Competition” 2026, ku kompania shqiptare “Musai Olive Oil” u vlerësua me Çmimin e Artë, duke e vendosur Shqipërinë mes prodhuesve më të mirë të vajit premium të ullirit në botë.
“Është një njohje ndërkombëtare për shumë vite përkushtim të familjes sonë dhe një konfirmim se Shqipëria është në gjendje të prodhojë vaj ulliri sipas standardeve më të larta globale”, thanë për “OliveOilTimes” Bruna Musa dhe Kejda Musa, drejtoreshë dhe menaxhere marketingu e “Musai Olive Oil”.
Ferma familjare, e vendosur pranë fshatit Skrofotinë në rajonin e Vlorës, në jugperëndim të Shqipërisë, e shndërroi lidhjen e gjatë me kultivimin e ullirit në një biznes profesional të vajit të ullirit në vitin 1995.
“Familja jonë ka pasur gjithmonë një lidhje të thellë me ullinjtë dhe tokën, por me kalimin e viteve vendosëm ta transformojmë këtë traditë në një projekt profesional afatgjatë”, thanë anëtarët e familjes Musa.
Brenda pak vitesh, kompania nisi të arrijë klientë ndërkombëtarë, duke promovuar njëkohësisht cilësinë dhe identitetin e prodhimit shqiptar.
Sipas familjes Musa, një pjesë e madhe e kësaj cilësie vjen nga pozicioni unik i ullishtave të tyre në kodrat përreth Vlorës, pranë zonës ku takohen deti Adriatik dhe ai Jon.
“Ky territor ofron një mikroklimë ideale për kultivimin e ullirit, me dimra të butë, shumë diell dhe tokë të pasur me minerale”, thanë ata.
“Flladet e pastra detare ajrosin natyrshëm ullishtat dhe reduktojnë lagështinë e tepërt, duke favorizuar fruta më të shëndetshme”, shtuan ata.
Peizazhi i kultivimit të ullinjve përreth Vlorës shtrihet në kodra shkëmbore bregdetare, ku kultivimi i ullirit është përshtatur prej shekujsh me terrenin e pjerrët dhe verat e gjata e të thata.
Shumë ullishte tradicionale janë mbjellë në shpate me bazë gëlqerore, me kullim natyror shumë të mirë, kushte që favorizojnë zhvillimin më të ngadaltë të frutit dhe profile aromatike më të përqendruara.
Në shumë zona, ullinjtë vazhdojnë të rriten në tarraca të lashta ”të gdhendura” në kodra, duke reflektuar një traditë të gjatë bujqësore të lidhur ngushtë me peizazhin e ashpër bregdetar të jugut të Shqipërisë.
“Afërsia me detin ka një ndikim të drejtpërdrejtë në karakterin e vajit tonë të ullirit”, tha kompania.
“Mjedisi lokal ka një ndikim të jashtëzakonshëm në profilin e tij, pasi klima, toka dhe afërsia me detin krijojnë një identitet territorial shumë të veçantë”, shtoi ajo.
Prodhimi i “Musai” është i certifikuar organik.
Sipas analizës së NYIOOC, vajrat e kompanisë karakterizohen nga nota argjinare, speci, bajameje jeshile dhe gjethe ulliri.
Profili barishtor dhe i strukturuar lidhet ngushtë me kultivarin “Kalinjot”, një varietet vendas që dominon zonën.
Ky varietet autokton shqiptar, i lidhur ngushtë me rajonin e Vlorës, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare për cilësitë e tij.
“’Kalinjoti’ është unik për shkak të përmbajtjes së lartë të polifenoleve, stabilitetit natyror dhe profilit të pasur organoleptik”, thanë familjarët e “Musa COmpany”.
Sipas kompanisë, promovimi i varieteteve autoktone është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të krijuar një identitet të dallueshëm të vajit shqiptar të ullirit në tregjet e eksportit.
“Në krahasim me varietete më të njohura ndërkombëtarisht, “Kalinjoti” prodhon vajra ulliri me personalitet të fortë dhe identitet autentik mesdhetar,” tha kompania.
Në rajonin e Vlorës, prodhimi modern komercial i vajit të ullirit mbetet i lidhur ngushtë me traditat bujqësore shekullore.
Në vend që të fokusohet vetëm në maksimizimin e prodhimit, strategjia e menaxhimit të fermës përqendrohet në ruajtjen e shëndetit të pemëve dhe cilësisë përmes menaxhimit të qëndrueshëm të ullishtave.
“Ne ndjekim praktika të qëndrueshme dhe të orientuara drejt cilësisë, duke përfshirë krasitje të kujdesshme, monitorim të vazhdueshëm të tokës, ushqim organik dhe kontroll të rregullt të shëndetit të pemëve”, thanë ata.
Aktivitetet gjatë gjithë vitit përfshijnë menaxhim parandalues fitosanitar të udhëhequr nga monitorimi i afërt i ullishtave dhe parimet e ndërhyrjes minimale.
“Fokusi ynë është te parandalimi dhe monitorimi i vazhdueshëm”, thanë familjarët.
“Ne përdorim metodat më natyrale të mundshme dhe ndërhyrje minimale, duke respektuar biodiversitetin lokal”, shtuan ata.
Shumica e ullishtave të fermës mbështeten kryesisht te reshjet natyrore, ndërsa ujitja e kontrolluar përdoret vetëm gjatë periudhave veçanërisht të thata, një zgjedhje që kompania tha se synon të ruajë “ekuilibrin ekologjik të territorit”.
Me kalimin e kohës janë shtuar plantacione të reja dhe sisteme bujqësore të përditësuara për të përmirësuar qëndrueshmërinë dhe konsistencën afatgjatë.
Koha e mbledhjes përcaktohet nga analiza e pjekurisë dhe grumbullimi i përmbajtjes fenolike.
“Kujdesi i madh gjatë mbledhjes është thelbësor sepse cilësia e vajit të ullirit fillon pikërisht në momentin kur ulliri shkëputet nga pema”, thanë ata.
Fabrika e fermës, e pajisur me teknologji “Alfa Laval” dhe me kapacitet prej 1 000 kilogramësh në orë, prodhon rreth 100 tonë vaj çdo sezon.
Ashtu si prodhuesit në të gjithë Mesdheun, kompania tha se ndryshimet klimatike po bëhen një faktor gjithnjë e më i rëndësishëm në planifikimin e prodhimit.
Temperaturat ekstreme, thatësirat e zgjatura dhe kushtet e paparashikueshme sezonale ndikojnë si te rendimenti ashtu edhe te cikli natyror i zhvillimit të ullinjve, duke kërkuar përshtatje të vazhdueshme në menaxhimin agronomik.
“Kjo kërkon monitorim më të kujdesshëm dhe përshtatje të vazhdueshme në menaxhimin agronomik”, tha kompania.
Pavarësisht këtyre sfidave, kompania beson se interesi ndërkombëtar në rritje për varietetet autoktone dhe territoret më pak të njohura mesdhetare po krijon mundësi të reja për prodhuesit shqiptarë në tregjet e eksportit.
“Vaji shqiptar i ullirit po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare,” thanë familjarët Musa.
Për Musai, çmimi i artë në NYIOOC përfaqëson si një vlerësim të modelit të prodhimit të kompanisë, ashtu edhe një mundësi për të përshpejtuar këtë proces ndërsa rritet kërkesa për vajra ulliri të dallueshëm, të lidhur fort me origjinën dhe identitetin rajonal.
“Besoj se në vitet e ardhshme Shqipëria do të luajë një rol shumë më të rëndësishëm në hartën globale të vajit premium të ullirit”, tha kompania.
“Tradita është identiteti ynë, ndërsa inovacioni është mënyra se si ecim përpara”, shtuan ata.
“Ne ruajmë metodat tradicionale dhe respektin për tokën, ndërsa investojmë vazhdimisht në teknologji moderne, standarde cilësie dhe njohuri të reja agronomike”, theksoi kompania./ /Ad.Ab./ a.jor.