E Diel, 1 Nëntor 2026

Online procedura për privatizimin e truallit shtetëror, 20% ulje për kërkesat para 1 korrikut 2012

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e procedurave të hollësishme për kalimin e pronësisë së truallit shtetëror në përdorim dhe miratimin e modelit të aktit të kalimit.

Sipas vendimit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (AShK) do të kryejë të gjitha procedurat administrative për kalimin e pronësisë së truallit, duke përfshirë rastet kur ndërtesat janë privatizuar ose janë ngritur me leje ndërtimi pas vitit 1991.

Procedura fillon sipas përcaktimeve të ligjit “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” dhe kërkesat paraqiten online përmes portalit qeveritar “e-Albania”.

Vendimi parashikon pagesa për sipërfaqet e truallit me funksion social-ekonomik, ndërsa trualli për ndërtesat e banesave të transferohet pa pagesë.

Përfituesit që kanë paraqitur kërkesë për privatizim të truallit para 1 korrikut 2012 do të përfitojnë ulje 20% nëse kryejnë pagesën brenda 30 ditëve nga njoftimi.

AShK-ja është përgjegjëse për verifikimin e pronësisë mbi ndërtesën, posedimin në terren të truallit dhe pagesën e detyrimeve të taksave.

Procedura administrative përfundon brenda 60 ditëve nga depozitimi i kërkesës, ndërsa vendimi për kalimin e pronësisë njoftohet dhe regjistrohet në regjistrin kadastral.

Për truallin që ndodhet në administrim të institucioneve shtetërore ose njësive vendore, miratimi i kalimit të pronësisë shfuqizon përgjegjësinë e administrimit.

Vendimi rregullon gjithashtu procedurat për ndërtime pa leje dhe ndryshimet minimale të sipërfaqes së truallit.

Ky vendim hyn në fuqi pas publikimit në “Fletoren Zyrtare”.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›