“Open Masters Abu Dhabi”, Anatoly për ATSH: Sporti përtej moshës të mban të shëndetshëm

ABU-DABI, 11 shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ “Open Masters Games Abu Dhabi 2026” zhvilluan sot ditën e tyre të gjashtë, që prej nisjes më 6 shkurt, duke vijuar me një program të ngjeshur garash dhe aktivitetesh komunitare në disa prej impianteve kryesore sportive të kryeqytetit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në kuadër të aktiviteteve të ditës, peshëngritësi ukrainas dhe personaliteti i njohur në rrjetet sociale, Anatoly, vizitoi Hudayriyat Island, ku u takua me sportistë dhe vizitorë në një aktivitet “meet and greet”, duke përcjellë mesazhe motivuese për rëndësinë e sportit në çdo moshë.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Anatoly vlerësoi frymën gjithëpërfshirëse të Lojërave, duke theksuar se ky aktivitet dëshmon se sporti është për të gjithë, pavarësisht moshës apo nivelit.
“Ka diçka të veçantë në këtë event. Sporti këtu është absolutisht për të gjithë. Nuk ke nevojë të jesh më i miri në botë apo në kulmin e formës tënde. Edhe nëse je 30, 50 apo 60 vjeç, mund të garosh, mund të bësh diçka dhe të qëndrosh i shëndetshëm”, u shpreh ai.
Sipas tij, mesazhi kryesor për të rinjtë, por edhe për të rriturit, është që sporti të kthehet në një zakon të përditshëm.
“Ta bësh sportin një zakon është thelbësore. Është një nga ato zakone që mund të ndryshojë jetën dhe stilin tënd të jetesës”, theksoi Anatoly.
Duke iu drejtuar publikut shqiptar përmes ATSH-së, ai shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë në të ardhmen, ndërsa përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë: “Qëndroni të fortë, jini të shëndetshëm dhe mos e lini pas dore palestrën dhe sportin në përgjithësi. Sporti është një nga zakonet që mund të ndryshojë jetën tuaj”.
“Open Masters Games Abu Dhabi 2026” vijojnë të kombinojnë garën sportive me angazhimin komunitar, duke promovuar sportin si një aktivitet të përhershëm dhe të aksesueshëm për të gjitha moshat.
Anatoly Shmondenko, i lindur si Volodymyr Shmondenko më 1999 në Ukrainë, është bërë një emër i njohur në botën e palestrës dhe videove humoristike, falë video-shakave të tij të suksesshme në palestër. I njohur për videot ku bën sikur është një pastrues para se të ngrejë peshat e rënda, duke përdorur një fshesë dhe kovë që peshojnë 32 kilogramë, Shmondenko ka arritur të ketë mjaft ndjekës, të cilët i pëlqejnë kombinimin e tij të humorit dhe forcës fizike.
I njohur për kreativitë dhe qasjen e tij të veçantë ndaj fitnesit, Shmondenko ka arritur të fitojë dy herë Kupën e Kievit në kategorinë e të rinjve (2017–2018) dhe të arrijë një vend të tretë në Kampionatin Botëror të GPA për grupmoshën 18–19 vjeç në vitin 2018.
Suksesi i tij në rrjetet sociale u forcua me bashkëpunimin me ngritësin e pesheve të njohur Larry ëheels në vitin 2022, si dhe përmes shenjave të tilla si maskimi si një njeri i moshuar dhe filmimi në lokacione si Muscle Beach në Kaliforni.
Shmondenko është bërë një figurë influente dhe një model i suksesit në botën e fitnesit dhe ndihmës fizike. Ai aktualisht jeton në Dubai dhe vazhdon të argëtojë miliona ndjekës me përmbajtjen e tij të veçantë.
1 nga 10/r.e/a.f/