E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Vdes në moshën 115-vjeçare dekania franceze, Marie-Rose Tessier

PARIS, 11 shkurt /ATSH-AFP/ – Marie-Rose Tessier, e konsideruar si gruaja më e moshuar e Frances, që ndryshe njihet edhe me epitetin ”dekania”, vdiq dje në qytetin Vendée, në moshën 115-vjeçare.

Lajmi u konfirmua sot nga mbesa e saj duke pohuar njoftimet e medias lokale.

Ajo vdiq në Les Sables-d’Olonne, ku jetonte prej rreth 15 vitesh, në një institucion për të moshuar.

E lindur më 21 maj 1910 në Beaurepaire, Vendee, Tessier u konsiderua si më e moshuara e njohur në Francë pas vdekjes në vitin 2023, në moshën 118-vjeçare, të motrës Andre, e cila mbante titullin e dekanes së njerëzimit.

Në një intervistë për “France 3 Pays de la Loire” në vitin 2023, ajo shprehej me humor se “nuk ka asgjë të veçantë të jesh e moshuar. Ajo që më dhemb më shumë është se nuk shoh. Nuk mund të lexosh, të thurësh. Nuk mund të bësh asgjë kur nuk sheh”!.

E ardhur nga një familje fermerësh, ajo ishte thellësisht e lidhur me vendlindjen e saj, siç theksoi bashkia e Beaurepaire në një deklaratë.

Jeta e saj përfshiu më shumë se një shekull histori, duke përjetuar Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore.

Tragjedia më e madhe ndodhi më 18 prill 1944, kur në moshën 33-vjeçare humbi bashkëshortin e saj, Auguste Charles Tessier, i vrarë gjatë bombardimeve në Tergnier, në departamentin Aisne.

Çifti kishte dy vajza.

Sipas specialistit të superqindvjeçarëve Laurent Toussaint, e moshuara më e njohur e Francës pritet të jetë tani Madeleine Della Monica, e lindur në vitin 1912.

Aktualisht, sipas Grupit Amerikan të Kërkimeve në Gerontologji (GRG) dhe bazës së të dhënave ”LongeviQuest”, personi më i moshuar në botë është britanikja Ethel Caterham, 116 vjeçe./   /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›