Operacion antidrogë në Korçë, arrestohen tre persona, kontrolle në shtëpi dhe biznese

Tre persona janë arrestuar nga policia në Korçë për shpërndarje të lëndëve narkotike. Midis të ndaluarve është një çift bashkëshortësh dhe një person tjetër me precedentë penalë për të njëjtën vepër.
Arrestimi i tyre është kryer në orët e para të mëngjesit, teksa po udhëtonin me një automjet në të cilin u gjetën sasi të ndryshme lëndësh narkotike, të dyshuara si kokainë dhe kanabis, si dhe mjete të posaçme për peshimin e tyre.
Gjatë kontrolleve të mëtejshme të ushtruara në automjet, në banesat e personave të arrestuar dhe në një ambient tjetër privat, shërbimet e policisë sekuestruan gjithashtu dy makina dhe një sasi të konsiderueshme parash, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Ky është operacioni i tretë antidrogë i zhvilluar në qytetin e Korçës gjatë ditëve të fundit, duke e çuar në gjashtë numrin e përgjithshëm të personave të arrestuar për këtë veprimtari. Policia e Korçës thotë se operacionet për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve do të vijojnë.